Etleva Skonja
Ministria e Drejtësisë ka vijuar edhe sot në Vlorë konsultimet publike për draftin e ri të Kodit Penal, pas takimeve të zhvilluara më herët në Pogradec, Tiranë dhe Durrës.
Tryezat, ku marrin pjesë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe përmbarues gjyqësorë, shoqërohen nga kreu i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i cili udhëheq diskutimet mbi përmbajtjen e kodit të ri.

Por teksa Ministria e Drejtësisë i sheh këto aktivitete si pjesë të një procesi gjithëpërfshirës për hartimin e një Kodi Penal modern “sipas standardeve të Brukselit”, pyetjet që lindin lidhen me transparencën e shpenzimeve publike.

Pse konsultimet po zhvillohen kryesisht në qytete turistike si Pogradeci, Durrësi apo Vlora?
Kush mbulon kostot e transportit, akomodimit, ushqimit dhe logjistikës për grupin e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë? Dhe pse deri tani Ministria nuk ka publikuar asnjë detaj mbi shpenzimet që po kryhen për këto tryeza?
Mungesa e transparencës financiare e kthen këtë proces në një pikëpyetje të madhe për mënyrën si menaxhohen fondet publike në emër të reformës ligjore.
Debati hapet edhe mbi prioritetet se a është thelbësore për një konsultim ligjor të zhvendoset në zona turistike me kosto të larta, apo mjaftojnë mjedise të thjeshta institucionale, ku garantohet profesionalizëm dhe transparencë?



