Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur me tensione dhe përplasje mes deputetëve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka hapur punimet dhe i ka dhënë fjalën kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për të paraqitur propozimin për kryetar të Kuvendit.
Kurti, duke folur për zhvillimet politike dhe përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja, tha se takimet dhe komunikimi i tij në cilësinë e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Vetëvendosjes kanë qenë pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje.
“Takimet dhe komunikimi im si kryeministër në detyrë dhe kryetar i Vetëvendosjes kanë qenë dhe nuk kemi krijuar, në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet, kërkojmë më shumë kohë”, deklaroi Kurti.
Por situata ndryshoi menjëherë pas fjalës së tij.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, iu afrua dhe nisi të gjuante me vezë në drejtim të Kurtit.
Veprimi i saj shkaktoi kaos në sallën e Kuvendit. Deputetë nga grupe të ndryshme politike u ngritën nga vendet dhe nisën përplasjet fizike mes tyre.
Përballë tensioneve, kryesuesi Avni Dehari u detyrua të ndërpresë seancën.
Kështu, ajo që duhej të ishte një seancë konstituive e Kuvendit, u kthye brenda pak minutash në një përplasje të ashpër politike dhe fizike mes deputetëve.



