Ish-ministri dhe ekonomisti Arben Malaj ka reaguar në rrjetet sociale kundër asaj që e cilëson si “pseudo-reformë” administrativo-territoriale, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk e forcojnë decentralizimin, por përqendrojnë më tej pushtetin politik.
Malaj e nis reagimin e tij me një kritikë të drejtpërdrejtë: “Kur shifrat bëjnë të qartë demagogjinë”.
Sipas tij, thelbi i reformës është “decentralizimi partiko-elektoral”, i cili, në vend që të forcojë pushtetin vendor, dëmton më tej autonominë dhe thellon deficitin demokratik.
Malaj argumenton se reforma përqendron pushtetin në duart e strukturave partiake dhe largon gjithnjë e më shumë qytetarët nga përzgjedhja e drejtpërdrejtë me votë e drejtuesve vendorë.
Një tjetër pikë që ai ngre lidhet me njësitë përbërëse të qyteteve të mëdha. Sipas Malajt, këto njësi janë konceptuar si struktura administrative dhe drejtimi i tyre do t’u besohet personave të përzgjedhur nga kryetarët e bashkive.
Ai e lidh këtë edhe me ndikimin politik të qeverisë qendrore, duke pretenduar se kryetarët e bashkive ndodhen gjithnjë e më shumë nën tutelën e kryeministrit Edi Rama.
Malaj kundërshton gjithashtu argumentin se bashkimi apo riorganizimi i njësive vendore do të sjellë më shumë autonomi financiare.
Sipas tij, edhe pse transfertat për bashkitë janë rritur, rreth 75% e tyre shkojnë për rritjen e pagave, çka, sipas tij, nuk përkthehet në rritje reale të autonomisë financiare dhe të shërbimeve për qytetarët.
Në reagimin e tij, ish-ministri i referohet edhe një vlerësimi të 41 funksioneve të vetëqeverisjes vendore.
Sipas të dhënave që ai publikon, vetëm 4 funksione vlerësohen se ushtrohen në nivel të mirë, 21 në nivel të kënaqshëm, ndërsa 10 janë në nivel të pamjaftueshëm dhe 6 të tjera nuk ushtrohen ose ushtrohen në mënyrë shumë të kufizuar.
Në përfundim, Malaj thekson se rreth 40% e funksioneve të vetëqeverisjes vendore rezultojnë në nivel të pamjaftueshëm ose të paushtruara.
Për ekonomistin, këto shifra janë argumenti kryesor kundër mënyrës se si po prezantohet “Administrativo-Territorialja 2.0”, duke ngritur pikëpyetjen nëse reforma po synon realisht forcimin e pushtetit vendor apo një tjetër përqendrim të tij në duart e strukturave politike.



