Drejtuesit e mjeteve që do të lëvizin në autostradën Tiranë-Durrës gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit duhet të tregojnë kujdes, pasi dy korsitë e aksit kryesor në drejtim të Durrësit do të bllokohen për disa orë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se kufizimi i qarkullimit do të bëhet nga ora 23:00 deri në 05:00, për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Punimet janë pjesë e projektit për zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III. Për të garantuar sigurinë gjatë vendosjes së strukturave metalike, do të bllokohen përkohësisht dy korsitë e autostradës në drejtimin Tiranë-Durrës.
Gjatë këtyre orëve, automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës. Këto korsi do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime lëvizjeje.
Ndërkohë, për qytetarët që do të udhëtojnë drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, nuk parashikohet bllokim i lëvizjes. Sipas ARRSH-së, mjetet me destinacion aeroportin do të vijojnë të qarkullojnë pa pengesa.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë këtij intervali dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur në zonën e punimeve.
“Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për këtë ndërhyrje”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Punimet do të zhvillohen në dy net, më 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, me qëllim vijimin e punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri në Kashar.



