KreuAktualitetPolitikaPD “njeh” Shabanin si Avokat të Popullit?/ I kërkon hetim për “Smart...

PD “njeh” Shabanin si Avokat të Popullit?/ I kërkon hetim për “Smart City”

Partia Demokratike duket se ka lënë për një moment pas kundërshtimet që ka bërë ndaj zgjedhjes së Endrit Shabanit në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

Sekretari i PD-së për të Drejtat e Njeriut, Franc Nuri, i është drejtuar zyrtarisht Avokatit të Popullit me një kërkesë për nisjen e një hetimi administrativ mbi projektin “Smart City” dhe ndikimin që ai mund të ketë te të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.

Në përgjigjen e tij, Endrit Shabani e ka pranuar kërkesën dhe ka njoftuar nisjen e hetimit.

“Duke iu falënderuar për ngritjen e këtij shqetësimi, vlerësojmë në mënyrë të veçantë faktin që Partia Demokratike i drejtohet Avokatit të Popullit si garant i pavarur i të drejtave dhe lirive themelore”, thuhet në përgjigje.

Pikërisht kjo përgjigje ka sjellë një situatë disi ironike, pasi vetëm pak muaj më parë PD e kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese procedurën për zgjedhjen e Shabanit si Avokat i Popullit dhe nuk e votoi kandidaturën e tij në Kuvend.

Demokratët pretenduan se procesi i zgjedhjes ishte i parregullt dhe se mazhoranca kishte shkelur ligjin, ndërsa kundërshtuan edhe faktin që socialistët vijuan me kandidaturën e Shabanit pasi deputetët e opozitës kishin tërhequr firmat e tyre.

Megjithatë, tashmë një përfaqësues zyrtar i PD-së i është drejtuar pikërisht institucionit që demokratët e kanë kundërshtuar, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për një çështje që opozita e konsideron me interes të lartë publik.

Në kërkesën e Franc Nurit, PD kërkon nisjen e një hetimi të posaçëm mbi ndikimin e projektit “Smart City” te privatësia, mbrojtja e të dhënave personale, liria e shprehjes, liria e tubimit dhe organizimit politik, liria e medias, si dhe te rreziku i profilizimit arbitrar dhe diskriminimit.

PD kërkon gjithashtu verifikimin nëse sistemi përbën mbikëqyrje të përgjithshme dhe të padiferencuar, nëse mund të prodhojë efekt frikësues ndaj protestuesve, aktivistëve, gazetarëve dhe opozitarëve dhe nëse ekzistojnë garanci të mjaftueshme kundër keqpërdorimit politik.

Në kërkesë kërkohet edhe inspektimi i Qendrës së Komandës, marrja e kontratës dhe dokumentacionit teknik, konsultimi me ekspertë të pavarur dhe publikimi i një raporti të posaçëm.

Një tjetër kërkesë e PD-së është rekomandimi për pezullimin e funksioneve biometrike dhe profilizuese të sistemit, si dhe miratimi i një kuadri të posaçëm ligjor.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit ka njoftuar se ankesa është pranuar dhe se ka vendosur të nisë hetimin administrativ.

“Në përmbushje të misionit kushtetues të Avokatit të Popullit për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individit… ju njoftojmë se ankesa juaj është pranuar dhe kam vendosur të fillojë hetimin administrativ për shqetësimin e ngritur prej jush”, thuhet në përgjigjen e Shabanit.

Sipas institucionit, hetimi do të fokusohet te përputhshmëria e projektit “Smart City” me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave personale.

Çështja do të ndiqet nga një grup pune i përbërë nga tre ndihmëskomisionerë, nën drejtimin e Komisionerit të Seksionit për Policinë, Besnik Deda. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë së çështjes, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se mund të angazhojë edhe ekspertizë të pavarur të jashtme.

Në përfundim të hetimit, PD do të njoftohet për gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e institucionit.

Kështu, ndërsa PD vijon betejën politike dhe ligjore për mënyrën se si Endrit Shabani u zgjodh në detyrën e Avokatit të Popullit, një prej përfaqësuesve të saj tashmë i është drejtuar këtij institucioni duke kërkuar që ai të ushtrojë pikërisht funksionin për të cilin demokratët e kanë kundërshtuar.

Shkresa e PD-së dhe përgjigjja e Avokatit të Popullit e vendosin kështu çështjen në një situatë paradoksale, kundërshtim për legjitimitetin e drejtuesit në Kuvend dhe Gjykatë, por kërkesë zyrtare për ndërhyrjen e të njëjtit institucion në një çështje me interes publik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat