KreuAktualitetPolitikaParaburgimet në pikëpyetje, pasuritë në fokus/ Çfarë i kërkon Kuvendi-SPAK-ut

Paraburgimet në pikëpyetje, pasuritë në fokus/ Çfarë i kërkon Kuvendi-SPAK-ut

Kuvendi i ka dërguar SPAK-ut një paketë me 32 rekomandime për vitin 2026, duke kërkuar ndryshime në disa prej praktikave më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme, nga përdorimi i masave të sigurimit dhe kohëzgjatja e paraburgimit, te hetimet financiare dhe konfiskimi i pasurive.

Rezoluta, e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i kërkon SPAK-ut që deri më 23 gusht të hartojë një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve.

Një prej pikave që bie më shumë në sy lidhet me përdorimin e paraburgimit. Kuvendi kërkon që SPAK të rishikojë praktikën e masave të sigurimit personal dhe të rrisë përdorimin e masave alternative, në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Sipas rezolutës, gjatë vitit 2026 duhet të bëhet një analizë çdo katër muaj mbi kohëzgjatjen e paraburgimit dhe raportin e tij me dënimet përfundimtare.

Qëllimi është evidentimi i rasteve kur koha e kaluar në paraburgim afrohet ose mbulon një pjesë të konsiderueshme të dënimit përfundimtar, si dhe marrja e masave për shmangien e kësaj praktike.

Kuvendi kërkon më pak dosje të mbartura

Një tjetër shqetësim i ngritur në dokument është numri i çështjeve të mbartura. Kuvendi i kërkon SPAK-ut të punojë për reduktimin e stokut të dosjeve dhe përmirësimin e cilësisë së çështjeve që dërgohen për gjykim, veçanërisht sa i përket standardeve të provueshmërisë.

Kjo do të thotë se vëmendja nuk duhet të jetë vetëm te numri i procedimeve apo personave të pandehur, por edhe te rezultati që këto çështje prodhojnë në gjykatë.

Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon rritjen e numrit të procedimeve që përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë.

Fokusi te pasuritë e zyrtarëve

Një pjesë e rëndësishme e rekomandimeve lidhet me hetimet financiare dhe pasurore.

Kuvendi kërkon forcimin e kapaciteteve për hetime financiare paralele dhe rritjen e fokusit te konfiskimi i pasurive në çështjet e korrupsionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelet e larta të administratës publike.

Në dokument theksohet se ndjekja penale nuk duhet të kufizohet vetëm te përgjegjësia individuale e personave të hetuar, por duhet të synojë edhe goditjen e përfitimit ekonomik të paligjshëm.

Për këtë arsye, rekomandohet që të bëhen analiza periodike mbi efektivitetin e ndjekjes penale në çështjet ku përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Në këto analiza duhet të përfshihet jo vetëm numri i procedimeve dhe personave të dërguar në gjykatë, por edhe shkalla e konfiskimit të pasurive.

Hetues financiarë dhe më shumë kapacitete për BKH-në

Kuvendi i kërkon gjithashtu SPAK-ut të përshpejtojë rekrutimin e hetuesve financiarë, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

Një tjetër rekomandim lidhet me shpërndarjen më të balancuar të ngarkesës së punës, ndërsa kërkohet edhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimet që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në fokus është edhe Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Çështjeve. Kuvendi kërkon përparim në këtë sistem, me qëllim rritjen e transparencës dhe mundësinë e raportimit statistikor në kohë reale.

Edhe emërimi i drejtuesit të BKH-së në vëmendje

Në listën e rekomandimeve është përfshirë edhe procesi i emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

SPAK-ut i kërkohet të analizojë, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian, nëse nevojitet rishikimi i rregullave dhe procedurave për këtë proces.

Synimi, sipas rezolutës, është që procedurat e emërimit të jenë të hapura, konkurruese dhe të zhvillohen pa vonesa.

Në tërësi, 32 rekomandimet e Kuvendit vendosin në fokus jo vetëm numrin e hetimeve të SPAK-ut, por edhe mënyrën se si zhvillohen ato, kohën e qëndrimit në paraburgim, cilësinë e dosjeve që shkojnë në gjykatë dhe rezultatet konkrete në konfiskimin e pasurive.

Tashmë mbetet për t’u parë se si do t’i përkthejë SPAK-u këto rekomandime në një plan konkret veprimi dhe cilat prej tyre do të sjellin ndryshime të matshme gjatë vitit 2026.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat