Biznesmeni dhe politikani kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar përmes një deklarate në rrjetet sociale lidhur me përplasjen mes kompanisë MABCO dhe autoriteteve shqiptare për administrimin dhe të drejtat mbi aeroportin.
Pacolli pretendon se, që prej vitit të kaluar, MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave në ndërmarrjen VIA, është privuar nga qasja efektive në procesin e vendimmarrjes dhe nga ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj.
Sipas tij, situata ka ndikuar edhe në ecurinë e punimeve në aeroport. Pacolli thotë se prej prillit 2026 MABCO nuk ka më akses në hapësirat dhe objektet e ndërtuara përmes investimeve të kompanisë, duke pretenduar se kjo i ka pamundësuar administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit.
Në deklaratën e tij, Pacolli bën të ditur se, pas përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje përmes rrugëve të tjera, MABCO u ka dërguar autoriteteve shqiptare një “Notice of Dispute”, në kuadër të Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.
Sipas tij, çështja ndodhet aktualisht në periudhën gjashtëmujore të “cooling-off”, e cila u jep palëve mundësinë të zgjidhin mosmarrëveshjen përmes dialogut dhe negociatave, përpara se çështja të kalojë në arbitrazh ndërkombëtar.
Pacolli përmend si mundësi të fundit ICSID, mekanizmin ndërkombëtar të arbitrazhit pranë Bankës Botërore në Washington.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe, MABCO u ka bërë thirrje të vazhdueshme autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për dialog konstruktiv dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme”, shkruan Pacolli, duke shtuar se deri tani këto thirrje, sipas tij, nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.
Megjithatë, ai thotë se kompania do të respektojë të gjithë periudhën e parashikuar nga kuadri juridik dhe shpreson që autoritetet shqiptare të angazhohen për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar.
“MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shprehet Pacolli, ndërsa thekson se shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit varet nga gatishmëria e autoriteteve shqiptare për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive.
Deklarata e Pacollit e vendos kështu çështjen në një pikë delikate, ku negociatat mes kompanisë dhe autoriteteve shqiptare mund të përcaktojnë nëse mosmarrëveshja do të zgjidhet përmes dialogut apo do të përfundojë në një proces arbitrazhi ndërkombëtar.



