KreuAktualitetPolitika“Pse u prish kontrata me Pacollin?”/ Nga Vlora, Berisha "shkon" në Kukës

“Pse u prish kontrata me Pacollin?”/ Nga Vlora, Berisha “shkon” në Kukës

Aeroporti i Vlorës është kthyer sërish në një pikë të fortë përplasjesh politike, pas vendimit të qeverisë për prishjen e kontratës me kompaninë e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli.

Në një deklaratë, kreu i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në një konflikt mes dy partnerëve privatë dhe se vendimi i qeverisë mund të sjellë një faturë të rëndë për taksapaguesit shqiptarë.

Sipas tij, mosmarrëveshja mes ortakëve duhet të ishte zgjidhur përmes gjykatave ose arbitrazhit, pa u përfshirë shteti.

“Problemet midis dy partnerëve privatë në aeroportin e Vlorës duhet të zgjidhen me rrugën gjyqësore apo arbitrazhet”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar vendimin për prishjen e kontratës me Pacollin si një veprim të paprecedentë.

Por akuzat shkuan edhe më tej. Në deklaratë u hodhën pretendime se pas përfshirjes së qeverisë në këtë konflikt mund të fshihen interesa të tjera dhe se Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kanë lidhje me aksionet e kompanisë turke. Këto pretendime nuk u shoqëruan me prova konkrete.

Një tjetër pikë e fortë e deklaratës ishte paralajmërimi për koston që mund të ketë për shtetin shqiptar një proces i mundshëm arbitrazhi ndërkombëtar.

Sipas Berishës, nëse çështja përfundon në arbitrazh dhe qeveria shqiptare humbet, fatura mund të arrijë deri në rreth 500 milionë euro.

“Qeveria nuk ka asnjë bazë të kërkojë revokimin e kontratës për një sherr mes dy ortakëve”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe procesit të nisur nga Pacolli në arbitrazh kundër vendimit për revokimin e kontratës.

Debati për aeroportin e Vlorës u lidh në deklaratë edhe me aeroportin e Kukësit. Berisha riktheu në vëmendje inaugurimin e tij dhe pritshmëritë e krijuara në atë kohë për fluturimet dhe zhvillimin e aeroportit.

Sipas tij, sot aeroporti i Kukësit nuk po funksionon sipas objektivave që u premtuan në momentin e inaugurimit, ndërsa tashmë po qarkullojnë edhe ide për një tjetër përdorim të hapësirës.

“A u kujtohet kur zbarkonte Lubia me helikopter? Shkoni pak në aeroportin e Kukësit. Ku është aeroporti i Kukësit sot?”, u shpreh Berisha.

Në fund, ai e cilësoi politikën e qeverisë për aeroportet si një “lojë” me pasoja të rënda financiare dhe akuzoi Ramën dhe Ballukun për mënyrën se si janë menaxhuar këto projekte.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat