Partia Demokratike pritet të nisë së shpejti përgatitjet për garën elektorale për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2027. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se procesi për përcaktimin e kandidatit është ende në diskutim dhe se nuk është marrë asnjë vendim për përjashtimin e primareve.
Në një prononcim për mediat, Berisha bëri të ditur se brenda javëve të ardhshme pritet të qartësohet edhe mënyra se si do të zgjidhet kandidati demokrat për kryeqytetin.
“PD në një kohë të afërt do të nisë punën për garën elektorale në Tiranë. Po punohet dhe për Primaret. Nuk kemi vendim për të përjashtuar primarët. Gjithçka do të vendoset në javët e ardhshme për kandidatin e PD për bashkinë e Tiranës”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse Ilir Alimehmeti mund të jetë një prej emrave që mund të garojë për Bashkinë e Tiranës, Berisha e cilësoi atë si një figurë të rëndësishme të Partisë Demokratike dhe të kryeqytetit, duke lënë të hapur mundësinë e kandidimit.
“Ilir Alimehmeti është personalitet i shquar i PD dhe i Tiranës. Gjithçka do të përcaktohet javët e ardhshme”, u shpreh kreu i PD-së.
Për momentin, demokratët nuk kanë bërë publik një emër zyrtar për garën e Tiranës, ndërsa procesi pritet të vijojë me diskutimet për primaret dhe përzgjedhjen e kandidatit që do të përfaqësojë opozitën në zgjedhjet vendore të vitit 2027.



