KreuAktualitetEkonomia8 miliardë euro rezervë/ Tabaku ngre alarmin: Rritje në statistikë, dobësi në...

8 miliardë euro rezervë/ Tabaku ngre alarmin: Rritje në statistikë, dobësi në ekonomi

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj të dhënave për rritjen e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, e cila po i afrohet nivelit rekord prej 8 miliardë eurosh.

Tabaku e konsideron këtë shifër një tregues të rëndësishëm financiar për vendin, por njëkohësisht ngre shqetësimin se forcimi i lekut dhe dobësimi i euros nuk po reflektojnë gjendjen reale të ekonomisë shqiptare.

Sipas saj, ndërhyrjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, përmes blerjes së euros, nuk kanë arritur të ndalin zhvlerësimin e monedhës europiane.

“Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë po i afrohet 8 miliardë eurove. Kjo është një garanci financiare për vendin, por edhe dëshmi se ekonomia shqiptare nuk është e shëndetshme”, shkruan Tabaku.

Deputetja demokrate e lidh dobësimin e euros me flukset informale dhe pastrimin e parave, duke argumentuar se forcimi i lekut nuk mbështetet në performancën e sektorëve prodhues.

Tabaku: Rritja ekonomike nuk po vjen nga prodhimi

Tabaku sjell në vëmendje edhe të dhënat për ekonominë shqiptare gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, kur rritja ekonomike ishte 3.7%.

Megjithatë, sipas saj, sektorët prodhues vijojnë të përballen me vështirësi. Industria dhe energjia shënuan rënie me 2.2%, ndërsa bujqësia u tkurr me 0.5%.

“ Kemi rritje në statistikë, por realisht kemi dobësi në sektorët që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende pune të qëndrueshme”, thekson Tabaku.

Sipas deputetes së PD-së, rritja po mbështetet kryesisht te administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, ndërsa prodhimi dhe eksportet po përballen me presione të forta.

Eksportuesit dhe fasoneria nën presion

Një prej shqetësimeve kryesore që ngre Tabaku lidhet me ndikimin e kursit të këmbimit te bizneset eksportuese.

Sipas saj, zhvlerësimi i euros do të thotë se eksportuesit marrin më pak lekë për çdo euro të fituar, ndërkohë që kostot kryesore të aktivitetit, si pagat, energjia, transporti dhe taksat, vijojnë të paguhen në lekë.

Fasoneria dhe industria prodhuese janë ndër sektorët që, sipas Tabakut, po përballen drejtpërdrejt me këtë situatë.

Të njëjtin problem ajo e sheh edhe në bujqësi, ku fermerët shqiptarë duhet të përballen me konkurrencën e produkteve të importuara nga vende ku sektori bujqësor subvencionohet dhe mbështetet më shumë.

Sipas saj, tkurrja e bujqësisë po shoqërohet edhe me boshatisjen graduale të zonave rurale.

“Familja shqiptare mbetet pa rezervë”

Tabaku argumenton se forcimi i lekut nuk po sjell përfitimet e pritshme për familjet shqiptare.

Sipas saj, familjet përballen me një situatë të dyfishtë: nga njëra anë dobësohen bizneset dhe vendet e punës, ndërsa nga ana tjetër ulja e çmimit të euros nuk reflektohet plotësisht në çmimet e konsumit.

“Gati 40% e buxhetit të konsumit të një familjeje shqiptare shkon vetëm për ushqime. Ndërkohë, çmimi tavan i naftës arriti në 191 lekë për litër në qershor. Ky është paradoksi shqiptar: rezerva valutore arrin rekord, ndërsa familja mbetet pa rezervë në fund të muajit”, shprehet deputetja.

Në përfundim, Tabaku e akuzon qeverinë se ka ndërtuar një model ekonomik që, sipas saj, favorizon ndërtimin dhe importet, ndërsa nuk i jep mbështetjen e nevojshme prodhimit dhe konkurrencës.

“Është një model etatist dhe klientelist: socialist në taksa e kontroll, kapitalist vetëm në privilegje. Për sa kohë ky model vazhdon, goditjet mbi ekonominë reale dhe familjet shqiptare do të vazhdojnë”, përfundon Tabaku.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat