KreuAktualitetPolitikaDeklarimi i dënimit dhe dëbimit nga Greqia/ KAS rrëzon kërkesën për shkarkimin...

Deklarimi i dënimit dhe dëbimit nga Greqia/ KAS rrëzon kërkesën për shkarkimin e Hajdarit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar sot dy kërkesat ankimore të depozituara nga Partia e Lirisë dhe Lefter Maliqi, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Riza Hajdari.

Çështja u shqyrtua në seancë publike, ku KAS mori në shqyrtim kërkesat ankimore nr. 2 dhe nr. 3.

Kërkesa e parë, e depozituar nga Partia e Lirisë dhe Lefter Maliqi, kundërshtonte vendimin nr. 46, datë 1 korrik 2026, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ky vendim lidhej me shqyrtimin administrativ të rezultatit të verifikimit për subjektin vetëdeklarues Kreshnik Riza Hajdari, kryetar i Bashkisë Kuçovë dhe i propozuar nga Partia Socialiste.

Ndërkohë, në kërkesën e dytë, Lefter Maliqi kërkonte shfuqizimin e plotë të vendimit të KSHZ-së dhe konstatimin se Hajdari kishte paraqitur të dhëna të pavërteta, të paplota ose të pasakta në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar më 2 prill 2023.

Maliqi pretendonte se Hajdari nuk kishte deklaruar një dënim penal dhe masën e dëbimit nga Greqia. Në ankim kërkohej gjithashtu që, në bazë të ligjit të dekriminalizimit, deklarimi i rremë të sillte përjashtimin nga kandidimi, zgjedhja dhe ushtrimi i funksionit publik.

Një nga kërkesat kryesore ishte edhe shpallja e pavlefshmërisë dhe përfundimi i parakohshëm i mandatit të Kreshnik Riza Hajdarit si kryetar i Bashkisë Kuçovë.

Në mënyrë alternative, Maliqi kërkoi që vendimi i Komisionerit të shfuqizohej dhe çështja të kthehej për rishqyrtim nga KSHZ-ja, me detyra të përcaktuara për verifikimin e pretendimeve mbi deklarimin e formularit të dekriminalizimit.

Pas shqyrtimit të kërkesave dhe pretendimeve të palëve, KAS vendosi me shumicë votash rrëzimin e të dyja kërkesave ankimore.

Për rrjedhojë, Komisioni la në fuqi vendimin nr. 46, datë 1 korrik 2026, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Vendimi i KAS-it i jep kështu fund, në këtë fazë administrative, ankimit të Lefter Maliqit dhe Partisë së Lirisë lidhur me statusin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat