Dy efektivë të forcave “Shqiponja” në Policinë e Tiranës janë pezulluar nga detyra pas publikimit të fotove të Ergys Agasit në ambientet e Policisë, pas arrestimit të tij.
Vendimi është marrë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, e cila ka nisur edhe një hetim administrativ për mënyrën se si pamjet e Agasit përfunduan në publik.
Dy efektivët e pezulluar ishin pjesë e sektorit “Shqiponja” pranë Policisë së Tiranës. Tashmë pritet që hetimi të përcaktojë nëse ata kanë pasur përgjegjësi në nxjerrjen apo shpërndarjen e fotove.
Pamjet e Ergys Agasit pas arrestimit u publikuan në media dhe rrjetet sociale, duke hapur diskutimin mbi mënyrën e administrimit të materialeve fotografike brenda strukturave të Policisë së Shtetit.
Hetimi administrativ do të duhet të sqarojë edhe nëse janë respektuar procedurat për ruajtjen e të dhënave dhe materialeve që lidhen me personat e arrestuar apo të ndaluar.
Pezullimi i dy efektivëve është masë administrative në kuadër të hetimit dhe nuk përbën në vetvete konstatim përgjegjësie për publikimin e fotove.
E arrestuan, pastaj e “shëtitën” në kamera/ Çfarë fshihet pas “show”-t me Ergys Agasin?



