KreuAktualitetPolitikaKoncesioni i hemodializës/ PD akuzon Allajbeun: “15.1 miliardë lekë në 6 vite”

Koncesioni i hemodializës/ PD akuzon Allajbeun: “15.1 miliardë lekë në 6 vite”

Partia Demokratike ka rikthyer në vëmendje koncesionin e hemodializës, duke ngritur akuza për koston e kontratës dhe mënyrën e ofrimit të shërbimit. Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Erges Eskiu, iu referua të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë deklaratës së tij.

Eskiu pretendoi se Klodian Allajbeu, të cilin e cilësoi si pronar të rrjeteve të Spitalit Amerikan dhe Hygeia, është përfituesi kryesor i koncesionit përmes kompanisë “Dia Vita”.

Sipas tij, në gjashtë vite për këtë koncesion janë paguar rreth 15.1 miliardë lekë, ose afërsisht 150 milionë euro.

“Vetëm në gjashtë vjet ka përlarë 15.1 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro”, deklaroi Eskiu, duke e cilësuar skemën si të dëmshme për interesin publik.

Për të ilustruar raportin mes sektorit publik dhe privat, Eskiu iu referua shifrave të vitit 2022. Sipas të dhënave që ai paraqiti, nga 193,878 seanca hemodialize të kryera atë vit, vetëm 10,766 janë realizuar në spitalet publike, ndërsa 183,112, ose 94.4 për qind, janë kryer nga sektori privat dhe PPP-ja.

PD pretendon se ndërtimi i qendrave publike të hemodializës në 11 qarqe do t’i kushtonte shtetit rreth 4.5 deri në 5 milionë euro. Sipas Eskiut, edhe nëse do të bëheshin investime më të mëdha për qendra moderne, kostoja nuk do të kalonte 10 milionë euro.

Ai pretendoi gjithashtu se kostoja e trajtimit për pacient do të ishte të paktën 50 për qind më e ulët nëse shërbimi do të ofrohej nga sektori publik.

Kritikat e PD-së u shtrinë edhe te mënyra e dhënies së koncesionit. Eskiu deklaroi se kontrata është dhënë pa garë dhe iu referua një raporti të KLSH-së, për të cilin tha se ka evidentuar shkelje në zbatimin e kontratës.

Mes pretendimeve të ngritura prej tij janë edhe rritja e numrit të seancave të raportuara dhe raste të refuzimit të shërbimit për pacientë me sëmundje akute.

Eskiu e cilësoi koncesionin si një skemë që, sipas tij, ka cenuar interesin publik dhe ka rënduar kostot e shërbimit shëndetësor.

“Edi Rama nuk e ka dhënë këtë shërbim me PPP për ta përmirësuar atë, por për të kënaqur të pangopurit dhe për të ndarë me ta paratë e taksapaguesve”, deklaroi ai.

PD bëri të ditur se do t’ua referojë materialet organeve ligjzbatuese dhe premtoi se, në rast se vjen në qeveri, do të rishikojë praktikat koncesionare në sektorin e shëndetësisë.

Sipas demokratëve, synimi do të jetë rikthimi i shërbimeve shëndetësore në fokusin publik dhe vendosja e pacientit në qendër të sistemit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat