Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar se pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, ku është ftuar të marrë pjesë në një konferencë të zhvilluar në Teksas.
Berisha bëri të ditur se ftesa lidhet me konferencën që Partia Republikane Amerikane zhvillon në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa ai do të jetë pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar.
Sipas kryedemokratit, në delegacion bëjnë pjesë drejtues të rreth 30 partive politike anëtare të këtij unioni, ku Partia Republikane amerikane ka një rol të rëndësishëm.
“Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit. Dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin Partia Republikane ka peshën më kryesore, ka krijuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive të këtij unioni për të marrë pjesë në konferencën në Teksas”, tha Berisha.
Kreu i PD-së zbuloi se përveç ftesës për të qenë pjesë e delegacionit, ka marrë edhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që lidhet me konferencën.
Berisha tha se aktualisht është në pritje të dokumentacionit përkatës për të finalizuar vizitën, ndërsa ende nuk ka përcaktuar takimet që do të zhvillojë në SHBA.
“Përveç kësaj ftese në përbërje të delegacionit, unë kam dhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që ka lidhje me këtë konferencë. Kështu që unë pres dokumentet dhe do marr pjesë”, u shpreh ai.
Sa i përket takimeve zyrtare, Berisha tha se ato nuk janë fiksuar ende, por shpreson që axhenda të përcaktohet gjatë ditëve të ardhshme.
Vizita e paralajmëruar vjen në një periudhë kur marrëdhëniet dhe kontaktet me partnerët amerikanë mbeten një çështje me interes të veçantë për opozitën shqiptare.



