Çmimet vijojnë të rëndojnë buxhetin e familjeve shqiptare. Inflacioni vjetor në gusht 2026 arriti në 3.2%, nga 2.3% që ishte një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT.
Por sa para i duhen një qytetari vetëm për ushqimet bazë gjatë një muaji?
Një llogaritje e bazuar në çmimet mesatare të publikuara nga INSTAT dhe një sasi mujore të përcaktuar për një person, tregon se shporta bazë e ushqimeve shkon në rreth 10,800 lekë të rinj, ose rreth 108 mijë lekë të vjetra në muaj.
Pra, vetëm për ushqimet bazë, një person duhet të llogarisë mesatarisht rreth 108 mijë lekë të vjetra në muaj, ose rreth 3,600 lekë të vjetra në ditë.
Në këtë shportë përfshihen produktet që konsumohen më shpesh, si buka, orizi, makaronat, mishi, qumështi, vezët, djathi, vaji, frutat dhe perimet.
Sipas çmimeve mesatare të INSTAT për qershorin 2026, një kilogram bukë kushtonte rreth 138 lekë të rinj, ose 1,380 lekë të vjetra. Një kilogram oriz kushtonte rreth 186 lekë të rinj, ose 1,860 lekë të vjetra, ndërsa makaronat rreth 204 lekë të rinj, ose 2,040 lekë të vjetra.
Në kategorinë e mishit, çmimet janë edhe më të larta. Një kilogram mish viçi kushtonte mesatarisht rreth 1,236 lekë të rinj, ose 12,360 lekë të vjetra. Mishi i pulës ishte rreth 488 lekë të rinj, ose 4,880 lekë të vjetra për kilogram.
Edhe produktet e bulmetit kanë një peshë të konsiderueshme në shpenzimet mujore. Një litër qumësht kushtonte rreth 154 lekë të rinj, ose 1,540 lekë të vjetra, ndërsa një vezë rreth 24 lekë të rinj, ose 240 lekë të vjetra.
Në shportë hyjnë edhe frutat dhe perimet. Në qershor, një kilogram mollë kushtonte rreth 150 lekë të rinj, ose 1,500 lekë të vjetra, ndërsa portokallet rreth 1,500 lekë të vjetra për kilogram.
Domatet kushtonin rreth 1,120 lekë të vjetra për kilogram, specat rreth 1,370 lekë, kastravecat rreth 980 lekë, patatet rreth 810 lekë dhe qepët rreth 830 lekë të vjetra për kilogram.
Duke marrë një konsum mujor për një person dhe duke shumëzuar çmimet me sasitë përkatëse, kostoja e kësaj shporte del në rreth 10,800 lekë të rinj, ose 108 mijë lekë të vjetra në muaj.
Nëse e njëjta llogaritje bëhet për një familje me katër persona, shuma arrin në rreth 43,200 lekë të rinj, ose 432 mijë lekë të vjetra në muaj.
Në praktikë, fatura mund të jetë edhe më e lartë. Një familje konsumon edhe produkte të tjera, si miell, sheqer, kafe, djathë, vaj dhe artikuj të tjerë ushqimorë, ndërsa sasia e konsumit ndryshon nga një person te tjetri.
Në këtë llogaritje nuk përfshihen shpenzimet e tjera të jetesës, si qiraja, energjia elektrike, uji, transporti, ilaçet, veshjet, higjiena apo telefonia..
Për familjet me të ardhura të ulëta, çdo rritje e çmimeve të produkteve që blihen çdo ditë përkthehet drejtpërdrejt në më pak para të mbetura për nevojat e tjera të familjes.



