KreuAktualitetKronikëBursa fiktive dhe miliona të zhdukura/ SPAK godet Call Center-in që mashtronte...

Bursa fiktive dhe miliona të zhdukura/ SPAK godet Call Center-in që mashtronte gjermanët

Prokuroria e Posaçme ka goditur një tjetër skemë të dyshuar mashtrimi përmes një Call Center-i në Tiranë, ku në shënjestër kanë qenë kryesisht shtetas gjermanë dhe persona të tjerë nga vende europiane.

Në kuadër të hetimit, SPAK ka lëshuar 11 masa sigurie, ndërsa gjatë kontrolleve janë ekzekutuar 8 prej tyre. Tre persona janë arrestuar në burg, tre të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie dhe dy janë lënë me detyrim paraqitjeje.

Ndërkohë, tre persona të tjerë nuk janë gjetur gjatë kontrolleve të kryera me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Hetimi lidhet me Call Center-in “Bluenergycall”, në pronësi të Redian Kukës, i cili kishte zyrat në një qendër tregtare në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për një fraksion të një procedimi të nisur në vitin 2021, në bashkëpunim me autoritetet gjermane të drejtësisë. Kontrollet e para në ambientet e kompanisë janë kryer në mars të vitit 2022.

Si funksiononte skema?

Nga hetimet dyshohet se agjentët e Call Center-it kontaktonin shtetas gjermanë dhe persona të tjerë europianë, duke i bindur të investonin në bursa ndërkombëtare.

Viktimave u ofroheshin mundësi investimi përmes platformave online, por sipas hetimit të SPAK, bëhej fjalë për platforma mashtruese.

Paratë e depozituara nga viktimat kalonin në llogari bankare në vende të ndryshme, përfshirë Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Qipron. Më pas, sipas Prokurorisë, paratë zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertoheshin në kriptovaluta.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu përdorimin e dy adresave IP në Shqipëri, të lidhura me aktivitetin e “Bluenergycall”.

Të dhënat elektronike të sekuestruara gjatë kontrolleve të 16 marsit 2022 janë analizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane, përfshirë Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme të Bambergut, e cila merret edhe me hetimin e krimeve kibernetike.

Hetimi nisi në vitin 2021

SPAK e regjistroi procedimin penal në dhjetor të vitit 2021 për veprat penale të mashtrimit kompjuterik, të kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në një fazë të mëparshme të hetimit, Prokuroria e Posaçme kishte dërguar për gjykim pronarin dhe punonjësin e IT-së të “Bluenergycall”, së bashku me 11 persona të tjerë, për akuzat që lidhen me krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, hetimet për persona të tjerë që dyshohej se ishin përfshirë në skemë vijuan në kuadër të një procedimi të ndarë.

Sipas SPAK, puna e kryer gjatë viteve të fundit, përfshirë analizimin e të dhënave kompjuterike dhe krahasimin e tyre me prova të tjera të mbledhura gjatë kontrolleve, ka bërë të mundur identifikimin e anëtarëve të tjerë të dyshuar të grupit.

Hetimi vijon, ndërsa personat ndaj të cilëve janë vendosur masat e sigurimit do të përballen me procedurat e mëtejshme gjyqësore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat