KreuAktualitetEkonomiaNafta “fluturon” në tregjet e përgjithshme/ A po rikthehet çmimi mbi 220...

Nafta “fluturon” në tregjet e përgjithshme/ A po rikthehet çmimi mbi 220 lekë për litër në Shqipëri?

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka nisur javën me rritje të fortë, duke shtuar presionin që karburantet në Shqipëri të kalojnë nivelin e 220 lekëve për litër.

Nafta Brent u rrit me më shumë se 3%, duke arritur rreth 108 dollarë për fuçi. Shtrenjtimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtuar frikën për furnizimet globale me naftë.

Një prej faktorëve kryesorë është situata në Ngushticën e Hormuzit, ku një anije tregtare është goditur, duke rritur shqetësimet për sigurinë e transportit të naftës në një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.

Përmes Hormuzit, para përshkallëzimit të konfliktit, transportoheshin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë. Tashmë, flukset raportohet se kanë rënë në rreth 7 milionë fuçi në ditë, duke krijuar një goditje të ndjeshme në furnizimin ndërkombëtar.

Situatës i është shtuar edhe vendimi i Arabisë Saudite për të mbyllur përkohësisht linjën kryesore të naftës që transporton naftë drejt Detit të Kuq dhe që përdoret për të shmangur kalimin përmes Hormuzit.

Tregjet kanë reaguar menjëherë ndaj këtyre zhvillimeve, ndërsa investitorët druhen se një ndërprerje më e gjatë e furnizimeve mund ta çojë çmimin e naftës edhe më lart.

Edhe në Shtetet e Bashkuara janë ngritur shqetësime për furnizimin me karburante. Presidenti Donald Trump ka fajësuar ndër të tjera edhe sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse për mungesën e naftës diesel. Megjithatë, analistët vlerësojnë se ndërprerjet e furnizimeve të lidhura me Ngushticën e Hormuzit përbëjnë një goditje edhe më të madhe për tregun global.

Rritja në tregjet ndërkombëtare pritet të ushtrojë presion edhe mbi tregun shqiptar. Nëse trendi vijon dhe çmimi i naftës mbetet mbi 100 dollarë për fuçi, kostoja e karburanteve në pikat e shitjes në Shqipëri mund të rritet më tej.

Për konsumatorët shqiptarë, një tjetër rritje do të përkthehej drejtpërdrejt në koston e transportit dhe të mallrave, ndërsa çdo përshkallëzim i krizës në Lindjen e Mesme mund ta mbajë tregun e karburanteve nën presion edhe gjatë ditëve në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat