Biznesmeni Behgjet Pacolli i është drejtuar publikisht ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me situatën e projektit të Aeroportit të Vlorës.
Përmes një reagimi në emër të kompanisë MABCO, Pacolli kërkon ndërhyrjen e ministrit për të zhbllokuar punimet dhe për t’i dhënë mundësi kompanisë të përfundojë projektin.
Pacolli pretendon se prej më shumë se nëntë muajsh kompania ka kërkuar një takim me ministrin, por sipas tij, kërkesat nuk kanë marrë përgjigje.
“Na lejoni ta përfundojmë projektin e Aeroportit të Vlorës”, shkruan Pacolli, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt koncesionar dhe një investim me vlerë prej qindra milionë eurosh.
Sipas tij, në muajin mars kompania ishte gati të hynte në fazën e certifikimit, por punimet u bllokuan. Pacolli pretendon se bllokimi është bërë në rrethana që kompania i konsideron të paligjshme dhe me përfshirjen e strukturave të Policisë së Shtetit.
Ai shprehet se kompania ka kërkuar ndërhyrjen e ministrisë për zgjidhjen e situatës, por nuk ka parë, sipas tij, veprim institucional.
“MABCO kërkon zgjidhje, jo konflikt, jo arbitrazh, por nëse nuk na lini rrugë tjetër, atëherë nuk është përgjegjësia jonë”, shprehet Pacolli.
Ai pretendon gjithashtu se prej më shumë se gjashtë muajsh kompania nuk ka mundur të hyjë në kantier për të vijuar punimet, ndërsa kërkon edhe një auditim tekniko-financiar.
Pacolli ngre akuza edhe lidhur me një kredi të marrë pranë BKT-së, duke pretenduar se më shumë se 60% e saj është përdorur nga pala me të cilën kompania është në konflikt për pagesa faturash për punime që, sipas tij, pala tjetër pretendon se i ka kryer.
Sipas Pacollit, kompania e ka kërkuar auditimin tekniko-financiar që prej tetorit të vitit të kaluar, por ministri nuk ka dhënë miratimin për realizimin e tij.
Në reagimin e tij, Pacolli thekson se MABCO nuk kërkon privilegje apo favore, por vetëm respektimin e ligjit dhe të kontratës.
“Aeroporti i Vlorës ka potencialin të bëhet një margaritar i infrastrukturës shqiptare, një projekt strategjik për turizmin, ekonominë dhe zhvillimin e vendit”, shprehet ai.
Në fund, Pacolli i bën apel ministrit Karakaçi që të ndërhyjë për vijimin e punimeve.
“Koha për veprim është tani! Apeloj tek ju të mundësohet vazhdimi i punës dhe të përfundohet ky projekt”, përfundon reagimi.



