KreuAktualitetEkonomiaKush po merr milionat e Bashkisë së Tiranës?/ 10 kompanitë që përkëdhelen...

Kush po merr milionat e Bashkisë së Tiranës?/ 10 kompanitë që përkëdhelen me fonde

Arrestimi i Erion Veliajt nuk ka ndalur aktivitetin e prokurimeve të Bashkisë së Tiranës. Gjatë vitit 2026, bashkia ka vijuar të shpallë fitues në dhjetëra procedura për rrugë, rikualifikime urbane, ndërtime dhe shërbime.

Nga një verifikim i procedurave të publikuara në Open Procurement Albania vërehet se disa kompani janë shfaqur disa herë si fituese, ndërsa të tjera kanë marrë kontrata me vlera që shkojnë në qindra milionë lekë.

Duke mbledhur vlerat e ofertave fituese në procedurat e verifikueshme, më poshtë po sjellim 10 kompanitë që janë përkëdhelur me fonde nga Bashkia e Tiranës.

  1. NIKA SHPK & ERALD-G SHPK – 606.1 milionë lekë

Në krye të listës së procedurave të verifikueshme del bashkimi NIKA SHPK – ERALD-G SHPK.

Dy kontrata të mëdha janë shpallur fituese më 31 gusht 2026. Për godinën 10 në zonën e zhvillimit “Kombinat”, oferta fituese ishte 233.817.310 lekë pa TVSH. Ndërsa për godinën 11 në të njëjtën zonë, oferta fituese ishte 372.358.828 lekë pa TVSH.

Në të dyja rastet bëhet fjalë për hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve. Për godinën 10 morën pjesë 11 operatorë, ndërsa për godinën 11 ishin 9 operatorë.

Vetëm këto dy procedura arrijnë në 606.176.138 lekë pa TVSH.

  1. COMPANY RIVIERA 2008 SHPK & BAJRAMI N. SHPK – 303.2 milionë lekë

Një tjetër kontratë e konsiderueshme është ajo për rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga Bulevardi “Bajram Curri”, Bulevardi “Petro N. Luarasi”, rruga “Taulantia” dhe rruga “Ali Demi”, Faza II.

Fondi limit ishte 445.392.143 lekë, ndërsa oferta fituese e bashkimit COMPANY RIVIERA 2008 – BAJRAMI N. ishte 303.241.845 lekë pa TVSH. Në garë morën pjesë 12 operatorë. Dokumentet e tenderit tregojnë se disa prej ofertuesve u skualifikuan, përfshirë raste për ofertë të konsideruar anomalisht të ulët, mungesë dokumentacioni ose mjete të angazhuara në kontrata të tjera.

  1. INERTI SHPK – të paktën 205 milionë lekë

INERTI SHPK shfaqet në të paktën dy nga kontratat e mëdha të verifikuara.

Në janar 2026, kompania fitoi tenderin për rikonstruksionin e rrugës “Pjetër Budi”, me ofertë 145.690.214 lekë pa TVSH. Në atë procedurë morën pjesë 27 operatorë. Në një tjetër procedurë të vitit 2026, INERTI fitoi kontratë me ofertë 59.404.463 lekë pa TVSH.

Vlera e këtyre dy kontratave arrin në 205.094.677 lekë pa TVSH.

  1. 2 N SHPK – të paktën 100.4 milionë lekë

Edhe 2 N SHPK rezulton disa herë fituese. Në tenderin për ndërtimin e rrugës nga kryqëzimi i Unazës së Madhe me rrugën “Nexho Konomi” në drejtim të lumit Lana, kompania fitoi me ofertë 57.343.909 lekë pa TVSH. Në garë ishin 17 operatorë.

Në një tjetër procedurë të Bashkisë Tiranë, kompania fitoi me ofertë 43.143.051 lekë pa TVSH. Së bashku, këto dy kontrata kapin 100.486.960 lekë pa TVSH.

  1. BE-IS SHPK – 114.7 milionë lekë

BE-IS SHPK fitoi më 28 gusht 2026 tenderin për ndërtimin e rrugës “Dhimitër Xhuvani”, me ofertë 114.746.091 lekë pa TVSH.

Në garë ishin 17 operatorë. Dokumentet tregojnë se një pjesë e ofertuesve u skualifikuan për kritere të ndryshme kualifikimi.

  1. LIQENI VII SHA – 75 milionë lekë

LIQENI VII SHA fitoi tenderin për rikualifikimin e një blloku urban në Tiranë me ofertë 75.042.032 lekë pa TVSH.

Fondi limit ishte 99.817.365 lekë, ndërsa në garë morën pjesë 12 operatorë. Kontrata me TVSH arrin në 90.050.438 lekë dhe ka një afat zbatimi prej 8 muajsh.

  1. BEQIRI SHPK – 55.4 milionë lekë

Për ndërtimin e rrugës “Selitë e Vjetër”, Bashkia Tiranë kishte vendosur fond limit prej 77.714.821 lekësh.

Fitues u shpall BEQIRI SHPK, me ofertë 55.488.350 lekë pa TVSH.Në garë morën pjesë 9 operatorë. Kontrata me TVSH është 66.586.020 lekë dhe afati i zbatimit është 6 muaj.

  1. MARVELS’S CONSTRUCTION GROUP SHPK – 45.3 milionë lekë

MARVELS’S Construction Group SHPK fitoi tenderin për rikualifikimin e bllokut të kufizuar nga rrugët “Haxhi Xhuzi”, “Rreze Drite” dhe “Halil Hoxha”.

Fondi limit ishte 65.152.597 lekë, ndërsa oferta fituese ishte 45.344.311 lekë pa TVSH. Në garë morën pjesë 10 operatorë. Fituesi u shpall më 11 gusht 2026.

  1. ALBSIG – 2.25 milionë lekë

Edhe kompanitë e sigurimeve kanë marrë kontrata nga Bashkia.

Albsig fitoi procedurën për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve të Bashkisë Tiranë me ofertë 2.250.554 lekë. Në këtë procedurë kishte vetëm një ofertues, Albsig, ndërsa kontrata është lidhur për 12 muaj.

  1. INFOSOFT OFFICE – 1.56 milionë lekë

InfoSoft Office fitoi procedurën për blerjen e materialeve për mirëmbajtjen e moduleve të lodrave, të zhvilluar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Fondi limit ishte 2.082.850 lekë, ndërsa oferta fituese ishte 1.562.137 lekë pa TVSH. Në garë morën pjesë tre operatorë.

Kompanitë që përsëriten

Ajo që bie më shumë në sy në këtë verifikim nuk është vetëm vlera e një tenderi të vetëm, por fakti se disa kompani shfaqen në mënyrë të përsëritur në kontratat e mëdha të Bashkisë.

NIKA – ERALD-G del në dy kontrata të mëdha në zonën “Kombinat”, me një vlerë të kombinuar prej më shumë se 606 milionë lekësh pa TVSH.

INERTI shfaqet në të paktën dy kontrata të mëdha, me vlerë të kombinuar mbi 205 milionë lekë.

2 N ka të paktën dy kontrata të identifikueshme, me vlerë të kombinuar mbi 100 milionë lekë.

Ndërsa kompani të tjera si LIQENI VII, BEQIRI, BE-IS dhe MARVELS’S Construction Group kanë marrë nga një kontratë të rëndësishme në procedurat e verifikuara.

Një tjetër element që vërehet është mënyra e zhvillimit të garave. Në disa prej tenderëve të mëdhenj, dokumentet e prokurimit tregojnë skualifikimin e një numri të konsiderueshëm operatorësh.

Në tenderin prej 445.3 milionë lekësh për rikualifikimin urban të zonës “Bajram Curri–Petro N. Luarasi–Ali Demi”, për shembull, 12 operatorë hynë në garë, ndërsa dokumenti i procedurës liston skualifikimet e ofertuesve për arsye që lidhen me dokumentacionin, kapacitetet teknike, personelin dhe angazhimin e mjeteve në kontrata të tjera.

Edhe në tenderin për godinën 11 në Kombinat, me fond limit 471.340.290 lekë, morën pjesë 9 operatorë dhe fitues u shpall bashkimi NIKA – ERALD-G, me ofertë 372.358.828 lekë pa TVSH.

E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat