Shqipëria është bërë pjesë e diskutimeve në Kongresin amerikan për korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.
Kongresisti republikan Joe Wilson ngriti shqetësimet e tij gjatë një seance dëgjimore të Nënkomitetit për Evropën, ku pyeti administratën e presidentit Donald Trump për masat që po ndërmerren ndaj narkotrafikut shqiptar.
Duke iu drejtuar zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel J. Lawton, Wilson tha se korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti i zgjedhjeve në Shqipëri janë çështje që kërkojnë vëmendje.
“Është raportuar gjithashtu se korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti i zgjedhjeve në Shqipëri po ndikohen nga qeveria e Edi Ramës. Në fakt, duke nxitur krijimin e një karteli të narkotrafikut”, deklaroi Wilson.
Kongresisti amerikan e pyeti drejtpërdrejt zyrtarin e Departamentit të Shtetit se çfarë po bën administrata Trump për të luftuar trafikun e drogës që lidhet me Shqipërinë.
“Çfarë po bën administrata në përgjigje të narkotrafikut shqiptar?”, pyeti Wilson.
Në përgjigje, Lawton tha se Shtetet e Bashkuara vijojnë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare kundër organizatave kriminale transnacionale.
“Mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare për t’iu kundërvënë organizatave kriminale transnacionale që operojnë prej andej”, u shpreh ai.
Sipas Lawton, aktiviteti i këtyre organizatave nuk kufizohet vetëm në Evropë, pasi ato kanë lidhje edhe me kartele në Hemisferën Perëndimore.
Në përgjigjen e tij, zyrtari amerikan veçoi edhe SPAK-un, duke vlerësuar punën e kësaj strukture në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Në veçanti, kemi konstatuar se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë relativisht efektive në adresimin e disa prej çështjeve që ngritët”, tha Lawton.
Deklaratat u bënë gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, ku u diskutua politika e administratës Trump dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.



