Debate të forta janë zhvilluar këtë të mërkurë në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku po shqyrtohet projektligji i propozuar nga Partia Socialiste për reformën territoriale.
Projektligji nuk ka marrë konsensusin e opozitës, e cila kërkoi që procesi të ndalet dhe të zhvillohen dëgjesa të plota me komunitetet, si dhe referendume lokale për ndryshimet e propozuara.
Deputetët demokratë Luçiano Boçi, Tritan Shehu, Eno Bozdo, Luan Baçi dhe Oerd Bylykbashi kundërshtuan mënyrën se si është ndjekur procesi, duke argumentuar se ndryshimi i hartës territoriale nuk mund të bëhet pa u konsultuar më parë qytetarët.
Në përfundim të diskutimeve, deputetët e opozitës vendosën të largohen nga salla.
Boçi: Reforma të kthehet pas
Deputeti Luçiano Boçi kërkoi që projektligji të kthehet pas dhe të ndiqet procedura që, sipas tij, kërkon konsultimin paraprak me komunitetet.
“Jo çdo gjë që ju vjen duhet ta merrni me sy mbyllur. Ndarja territoriale shoqërohet me mendimin paraprak të popullsisë. Nuk mundet mendimi të jetë pas”, deklaroi Boçi.
Sipas tij, projektligji duhet të shoqërohet me raportet e këshillave bashkiakë dhe rezultatet e dëgjesave publike.
“Reforma territoriale duhet të kthehet pas dhe të futet në procedurën kushtetuese. Të mbarojnë dëgjesat, të merret mendimi dhe më pas të vijë këtu”, tha ai.
Boçi kërkoi gjithashtu konsensus politik dhe qytetar për ndryshimin e hartës territoriale.
Shehu: Banorët po kërkojnë referendume
Deputeti Tritan Shehu e cilësoi të papranueshme që ndryshimet të bëhen pa u pyetur qytetarët.
“Nuk mund të bëhen ndryshime pa pyetur opinionin publik. Banorët po kërkojnë referendume lokale. T’u japim kohën e nevojshme konsolidimit të opinionit, të pyeten qytetarët, të organizojmë referendume lokale”, tha Shehu.
Sipas tij, mënyra se si po zhvillohet procesi është në kundërshtim me ligjin dhe me vullnetin e komuniteteve.
Bozdo: Drafti nuk është produkt i komisionit
Edhe deputeti Eno Bozdo kundërshtoi mënyrën e hartimit të projektligjit. Ai tha se komisioni nuk ka pasur mundësi të dëgjojë të gjitha grupet e interesit dhe komunitetet që kanë paraqitur zyrtarisht shqetësimet e tyre.
“Nuk arritëm të dëgjojmë grupet e interesit, as ekspertët. Nuk arritëm dot të dëgjojmë as komunitete që në mënyrë zyrtare i dërguan shkresë komisionit të reformës territoriale”, tha Bozdo.
Ai shtoi se ndërprerja e punës së komisionit ka qenë, sipas tij, “brutale”, duke argumentuar se drafti aktual nuk është produkt i punës së këtij komisioni, por i një grupi deputetësh.
“Jo të masakrohet harta në këtë mënyrë pa pyetur askënd. Ju kërkoj që ky projektligj të shtyhet, të mos nisë procedura për miratimin e tij”, deklaroi Bozdo.
Baçi: Çfarë do të ndodhë me Patosin dhe Divjakën?
Një pjesë e debatit u përqendrua te qarku i Fierit dhe propozimi për bashkimin e Patosit me Bashkinë Fier.
Deputeti Luan Baçi iu drejtua deputetëve socialistë të qarkut, duke i pyetur nëse mbështesin shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Fierin.
Baçi përmendi deklarimet e bëra nga Belinda Balluku gjatë një dëgjese në Fier, ku sipas tij ishte thënë se qarku nuk do të prekej nga reforma.
“Doja të dija nga deputetët e Fierit, zonja Çaushi, por edhe 11 të tjerët, janë dakord që Patosi t’i bashkohet bashkisë së Fierit dhe të bëhet një megabashki?”, tha Baçi.
Ai pretendoi se banorë të Patosit dhe Divjakës kanë kundërshtuar ndryshimet dhe se në Divjakë janë zhvilluar protesta.
“Ju pse merrni një veprim të njëanshëm që Bashkia e Patosit të shkrihet? Kjo që po them është zëri i qytetarëve të Patosit dhe Divjakës”, deklaroi Baçi.
Ai akuzoi mazhorancën se propozimi për reformën territoriale ishte përgatitur më herët dhe se konsultimet publike po zhvillohen pasi vendimi ishte marrë.
Bylykbashi: Durrësi kërkon ndryshime
Edhe deputeti Oerd Bylykbashi kundërshtoi draftin, duke u ndalur te qarku i Durrësit.
Ai argumentoi se projektligji nuk duhet të procedohet pa u shoqëruar me qëndrimet e komuniteteve, duke iu referuar edhe kërkesave për ndryshimin e organizimit të disa njësive vendore.
Bylykbashi solli si shembull Sukthin, Manzën, Rashbullin, Katundin e Ri dhe Ishmin, duke pretenduar se këto zona kanë probleme me distancën nga qendra e Bashkisë Durrës.
Ai tha gjithashtu se banorët e zonave të ndryshme kanë kërkuar që të rikthehet diskutimi për krijimin e njësive të veçanta vendore.
“Po e bëni ndryshimin pa pyetur popullsinë. Nuk ka instrument më të mirë se referendumi”, deklaroi Bylykbashi.
Blushi kërkon ndërprerjen e procesit
Në debat u përfshi edhe deputeti Tedi Blushi, i cili parashtroi tre propozime.
Ai kërkoi ndërprerjen e procesit të shqyrtimit të reformës territoriale, duke argumentuar se nuk është respektuar konsultimi publik dhe se procesi bie ndesh, sipas tij, me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Blushi kërkoi gjithashtu që komisioni të marrë informacion nga Presidenti i Republikës në lidhje me zhvillimet që kanë prekur institucionet e sigurisë kombëtare.
Ai ngriti edhe çështjen e përplasjes mes sistemit gjyqësor dhe avokatëve, duke iu referuar rregullores së GJKKO-së dhe vendimit të Dhomës së Avokatisë për pezullimin e seancave dhe masave të sigurisë.
“Ky komision s’mund të qëndrojë indiferent”, tha Blushi, duke kërkuar që çështja të përfshihet në axhendën e Komisionit të Ligjeve.
Manja: Më intereson vetëm projektligji
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, kundërshtoi kërkesat për zgjerimin e axhendës së mbledhjes.
“Më intereson vetëm projektligji”, tha Manja gjatë debatit.
Në përgjigje të propozimit të Bylykbashit për t’i kërkuar informacion Presidentit, Manja deklaroi se Komisioni i Ligjeve nuk mund të marrë kompetencat e kryetarit të Kuvendit apo të Konferencës së Kryetarëve.
“I njoh mirë kompetencat e këtij komisioni dhe s’mund të marrë kompetencat e kryetarit të Kuvendit dhe as të kryetarit të Konferencës së Kryetarëve”, tha Manja.
Sipas tij, nisma është ndjekur në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe detyra e Komisionit të Ligjeve është që në përfundim të shqyrtimit të vendosë nëse do ta miratojë apo jo projektligjin.
Debati për reformën territoriale vijoi me përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetët demokratë, pas kundërshtimeve të tyre, u larguan nga salla.



