Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për mënyrën se si u trajtua çështja e Hashim Thaçit, duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës është “tradhtuar” nga Joe Biden.
Deklaratën Rama e bëri gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork, ku foli për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Duke iu referuar mungesës së Thaçit në këtë aktivitet, Rama tha se ai “nuk është me ne sot këtu sepse ky vend e tradhtoi”.
“Joe Biden, që e quajti George Washington-in e Kosovës, e tradhtoi”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Rama përmendi gjithashtu ish-gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke thënë se ai kishte bërë “më të mirën”, por sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk kishin bërë gjithçka që mundeshin.
“Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, deklaroi Rama.
Thaçi është dënuar nga Gjykata Speciale me 25 vite burg, ndërsa bashkë me të janë dënuar edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Vendimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar apelim.



