Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka folur për luftën kundër korrupsionit, punën e SPAK-ut dhe arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në një intervistë për median gjermane WELT.
Duke folur për hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë, Rama e cilësoi situatën aktuale si një ndryshim të thellë në mënyrën se si funksionon shteti shqiptar.
“Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”, deklaroi Rama.
Në intervistë, WELT iu referua edhe arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke e vendosur atë në kuadër të hetimeve dhe dënimeve të zyrtarëve të lartë në Shqipëri.
Hyseni u arrestua në kuadër të një hetimi të SPAK-ut, ndërsa çështja e saj është një prej procedimeve që kanë prekur figura të rëndësishme të administratës dhe institucioneve shqiptare.
Rama foli gjithashtu për mënyrën se si po vepron SPAK-u dhe për kritikat mbi përdorimin e masave të arrestit.
Sipas tij, procesi është “i dhimbshëm”, ndërsa pranoi se, sipas vlerësimit të tij, jo të gjitha procedurat janë në përputhje me standardet evropiane.
“Shqipëria ka normën më të lartë të të burgosurve në paraburgim në kontinent”, tha Rama, duke shtuar se kjo është pjesë e një procesi të ashpër dhe, sipas tij, të pashmangshëm.
Kryeministri u pyet edhe për përgjegjësinë politike që mund të ketë qeveria për shkak të arrestimeve dhe dënimeve të personave që kanë qenë pranë tij.
Rama tha se përgjegjësia e tij politike lidhet pikërisht me faktin që, sipas tij, institucionet shqiptare tashmë mund të hetojnë zyrtarë të lartë.
“Para se të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u krijua shteti ynë, asnjë ministër në Shqipëri nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se është krenar që Shqipëria është tashmë në gjendje të mbajë përgjegjës njerëzit “kudo që ndodhen”, duke e cilësuar këtë si përgjegjësinë e tij politike.



