Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Reforma e re territoriale do të votohet këtë të enjte në Kuvend, por për miratimin e saj mazhorancës i duhen 84 vota, duke e vendosur Partinë Socialiste përballë një testi të rëndësishëm parlamentar.
Krahas mungesës së Belinda Ballukut dhe largimit të Marjana Koçekut nga grupi parlamentar socialist, brenda PS-së janë shfaqur edhe rezerva për hartën e re administrative. Dy prej deputetëve që kanë kundërshtuar propozimin janë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.
Në këtë situatë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka dhënë një mesazh të qartë për deputetët socialistë, duke theksuar se diskutimet dhe votat kundër në mbledhjet e grupit janë pjesë e debatit, por në fund prevalon vendimi politik.
“Gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik”, deklaroi Balla.
Ai e lidhi miratimin e reformës edhe me axhendën e integrimit europian, duke kërkuar që deputetët të kuptojnë rëndësinë politike të momentit.
“Besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Deklarata e Ballës u interpretua si një sinjal për deputetët që kanë shfaqur rezerva ndaj hartës së re, sidomos në kushtet kur çdo votë mund të jetë vendimtare për arritjen e shumicës prej 84 votash.
I pyetur nëse referimi i tij te “vendimi politik” nënkupton pasoja për deputetët që votojnë kundër, Balla u përgjigj duke e cilësuar Braçen dhe Sinajn “dy deputetët ndër më të mirët që ka grupi parlamentar”.
Ndërkohë, reforma territoriale ka hasur kundërshtime edhe jashtë Kuvendit. Banorë të Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit kanë protestuar kundër hartës së re, ndërsa Balla i kundërshtoi pretendimet se bëhej fjalë për banorë, duke deklaruar se ishin punonjës të bashkive.
Një tjetër çështje e ngritur ndaj Ballës ishte bashkimi i Rrogozhinës me Kavajën dhe nëse ky vendim lidhet me interesa elektorale të PS-së.
“Nuk është një diskutim sepse të dyja janë bashki të qarkut Tiranë, kështu që nuk ndryshon konteksti elektoral-politik në zgjedhjet qendrore”, u përgjigj Balla.
Reforma e propozuar nga mazhoranca parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore. Votimi i së enjtes do të tregojë nëse PS do të sigurojë 84 votat e nevojshme dhe nëse deputetët që kanë shprehur rezerva do të ndjekin apo jo qëndrimin zyrtar të mazhorancës.
Harta e re territoriale përçan PS-në/ Dy deputetë i thonë “jo” Ramës



