Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë votuar kundër propozimit për reformën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Rezervat e dy deputetëve janë shfaqur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist në fillim të kësaj jave, ku është diskutuar drafti për hartën e re territoriale.
Në përfundim të mbledhjes, propozimi është hedhur në votim brenda grupit parlamentar dhe Braçe e Sinaj kanë votuar kundër.
Gjatë diskutimeve, Erion Braçe mësohet të jetë shprehur kundër propozimit, duke deklaruar: “Më bën të shkoj drejt votës kundër”.
Reforma e propozuar nga Partia Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke e çuar numrin e njësive vendore nga 61 në 46.
Ndryshimi i hartës territoriale kërkon 84 vota në Kuvend për t’u miratuar. Për këtë arsye, qëndrimi i deputetëve socialistë merr rëndësi në llogaritjen e votave që do të nevojiten për miratimin e reformës.
Nëse Braçe dhe Sinaj e mbajnë të njëjtin qëndrim edhe në votimin në Kuvend, mazhoranca do të ketë dy vota më pak në dispozicion për miratimin e hartës së re territoriale.



