Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kompania Integrated Energy BV SPV, e cila kishte kontratën koncesionare për inceneratorin e Tiranës dhe është në qendër të hetimit të SPAK, ka përfituar rreth 11.16 miliardë lekë nga pagesat e ekzekutuara përmes Thesarit, sipas të dhënave të Open Spending Albania.
Bëhet fjalë për 460 pagesa, të kryera nga institucione publike në periudhën nga 6 prilli 2018 deri më 28 shtator 2026.
Të dhënat tregojnë se pagesat nuk janë ndalur me kalimin e viteve. Në vitin 2018 kompania ka marrë rreth 977 milionë lekë, ndërsa në 2019 një tjetër shumë prej rreth 977 milionë lekësh. Në vitet pasuese pagesat kanë vijuar me ritme të larta, duke arritur rreth 1.3 miliardë lekë në 2020 dhe 2021, 1.4 miliardë në 2022, 1.2 miliardë në 2023, 1.6 miliardë në 2024 dhe 1.4 miliardë lekë në 2025. Për vitin 2026, deri në fund të shtatorit, rezultojnë rreth 1 miliard lekë të tjera.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume është paguar nga Bashkia e Tiranës. Sipas regjistrit të Thesarit, Bashkia e Tiranës ka kryer 202 pagesa, me një vlerë totale prej rreth 8.97 miliardë lekësh, nga prilli 2018 deri më 1 shtator 2026.
Pagesat janë kryer për depozitimin e mbetjeve urbane. Vetëm gjatë vitit 2026, në regjistrin e Thesarit shfaqen pagesa të dhjetëra milionë lekëve për muaj të ndryshëm. Për shembull, më 1 shtator 2026 Bashkia e Tiranës ka ekzekutuar një pagesë prej 78.2 milionë lekësh, ndërsa më 28 korrik një tjetër prej 76 milionë lekësh.
Hetimi i SPAK nuk i ndal fondet
Kontrata e inceneratorit të Tiranës është prej vitesh objekt i hetimit të SPAK. Prokuroria e Posaçme ka hetuar kontratën koncesionare nr. 6597, të datës 31 gusht 2017, me vlerë investimi të parashikuar prej 128.2 milionë euro pa TVSH. SPAK ka deklaruar se gjatë procedurës së dhënies dhe zbatimit të kontratës janë konstatuar veprime në kundërshtim me ligjin që përbëjnë vepra penale.
Në vitin 2023, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive ndaj Integrated Energy B.V. SPV dhe pasurive të saj. Sipas SPAK, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri rezultonin pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare.
Hetimi vijoi edhe më tej. Në korrik 2024, SPAK deklaroi se gjatë hetimeve për kontratën ishin evidentuar edhe dyshime për pastrimin e produkteve të veprës penale në një vlerë prej rreth 20 milionë eurosh.
Megjithatë, regjistri i Thesarit tregon se pagesat ndaj Integrated Energy BV SPV kanë vijuar edhe në vitet kur çështja ishte nën hetim dhe kompania ishte vendosur nën sekuestro.
Madje, pagesat vazhdojnë edhe gjatë vitit 2026. Vetëm Bashkia e Tiranës ka kryer pagesa të njëpasnjëshme për depozitimin e mbetjeve urbane, përfshirë 71.4 milionë lekë më 19 maj 2026, 78.86 milionë lekë më 13 maj dhe 78.25 milionë lekë më 1 shtator 2026.

Pra, ndërsa kontrata dhe mënyra e zbatimit të saj janë bërë objekt i një prej hetimeve më të mëdha të SPAK për koncesionet, të dhënat e Thesarit tregojnë një rrjedhë të vazhdueshme pagesash për kompaninë që lidhet me këtë kontratë.
Sipas SPAK, kompania koncesionare kishte arkëtuar rreth 11.3 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro, që nga nisja e zbatimit të kontratës. Prokuroria ka deklaruar gjithashtu se nga hetimet ka rezultuar se kompania kishte investuar de facto vetëm rreth 21 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e parave është bërë objekt i hetimit penal.
Shifrat e fundit të Spending Data Albania e çojnë shumën e pagesave të regjistruara deri në shtator 2026 në 11.16 miliardë lekë, duke u konfirmuar nga dokumentet e Thesarit se sa para publike kanë kaluar drejt kësaj kompanie përgjatë më shumë se tetë viteve.



