Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Çmimet e karburanteve në Shqipëri po ndryshojnë nga një mbledhje e Bordit të Transparencës te tjetra, duke bërë që drejtuesit e automjeteve të përballen me një tabelë të re çmimesh brenda 24 orëve. Pas rritjes së kufirit maksimal të çmimit të naftës të enjten, më 8 tetor, Bordi vendosi të premten ta ulë sërish atë, ndërsa për benzinën mori vendim të kundërt.
Sipas vendimit të fundit, të publikuar më 9 tetor, nafta do të shitet me pakicë me një çmim maksimal prej 213 lekësh për litër, nga 217 lekë që ishte një ditë më parë. Pra, ulja është 4 lekë për litër. Ndërkohë, benzina do të kushtojë deri në 194 lekë për litër, një lek më shumë se çmimi i mëparshëm prej 193 lekësh.
Lëvizjet e fundit erdhën vetëm dy ditë pas një tjetër ndryshimi. Më 7 tetor, Bordi e kishte ulur çmimin maksimal të naftës nga 213 në 210 lekë për litër dhe atë të benzinës nga 193 në 190 lekë. Të nesërmen, më 8 tetor, çmimet u rritën sërish, me naftën që arriti në 217 lekë dhe benzinën në 193 lekë për litër. Një ditë më pas, nafta u ul përsëri, ndërsa benzina u shtrenjtua.
Kështu, brenda pak ditësh, Bordi ka ndryshuar disa herë çmimet tavan, duke përcaktuar kufirin maksimal me të cilin kompanitë mund t’i shesin karburantet.
Sipas njoftimeve zyrtare, çmimet përcaktohen duke marrë parasysh çmimet ndërkombëtare të produkteve të naftës, detyrimet tatimore e doganore dhe marzhet maksimale të tregtimit. Megjithatë, njoftimet e njëpasnjëshme me çmime të ndryshme tregojnë se tregu po funksionon nën një regjim të posaçëm, ku vendimet e Bordit përcaktojnë drejtpërdrejt kufirin e çmimit që mund t’u kërkohet konsumatorëve.
Bordi i Transparencës u aktivizua pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Vendimet e tij janë të detyrueshme për operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë, ndërsa shkeljet mund të sjellin pezullimin e aktivitetit.



