Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për më 27 tetor, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës. Sipas gazetares Anila Hoxha, në seancë nuk u paraqit asnjë nga të pandehurit dhe asnjë prej avokatëve.
Për mungesën e tyre, gjykata vendosi gjobitjen e avokatëve me nga 100 mijë lekë të reja secilin. Ndërkohë, për seancën e radhës, GJKKO ka thirrur avokatë nga skema e ndihmës juridike falas.
Gjatë seancës, SPAK kërkoi që gjykimi të vijojë edhe pa praninë e avokatëve, nëse ata vazhdojnë të mos paraqiten. Prokurori i Përgjithshëm i SPAK-ut, Altin Dumani, argumentoi se gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që sjellja e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta e mbrojtjes, duke përmendur edhe një precedent të Gjykatës së Apelit për zhvillimin e gjykimit pa avokat.
Mungesa e mbrojtësve lidhet me bojkotin e seancave në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së GJKKO-së, e cila ndalon përdorimin e telefonave në sallën e gjyqit.
Një moment i veçantë u shënua gjatë seancës, kur, ndërsa gjykata po vendoste gjobat ndaj avokatëve, ra telefoni i prokurorit të çështjes, Ols Dado. Sipas raportimit të gazetares Anila Hoxha, prokurori e nxori telefonin nga xhepi dhe e mbylli menjëherë.
Seanca e radhës ndaj Veliajt është caktuar më 27 tetor.



