Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta e studentëve në Tiranë është shoqëruar me tensione edhe këtë të mërkurë, në ditën e dytë të tubimit para Ministrisë së Arsimit. Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur para institucionit, ku situata është përshkallëzuar me hedhjen e sendeve të forta dhe shkuljen e kangjellave metalike.
Në protestë janë bashkuar studentë nga Universiteti i Mjekësisë, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Drejtësisë dhe Universiteti Politeknik, si edhe gjimnazistë. Pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve në universitete dhe më shumë mbështetje për studentët.
Tensionet vijnë një ditë pas protestës së 13 tetorit, e cila u shoqërua me përplasje dhe dëmtime të godinës së Ministrisë së Arsimit, bizneseve private dhe ambienteve të Bashkisë së Tiranës.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia për protestën e djeshme, 16 persona u arrestuan dhe 49 të tjerë u proceduan penalisht. Gjatë përplasjeve mbetën të lënduar edhe gjashtë efektivë policie.
Në thirrjet e tyre, studentët kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestës i është bashkuar edhe opozita, ndërsa Partia Demokratike ka njoftuar pjesëmarrjen e deputetëve të saj.
Protesta studentore apo revoltë politike?/ Kush doli në rrugë dhe çfarë roli ka opozita
Protestë para Ministrisë së Arsimit/ Thyhen xhamat dhe shkulen kangjellat



