Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Bashkimi Evropian në Shqipëri ka reaguar për përshkallëzimin e protestës në Tiranë, duke shprehur shqetësim për episodet e dhunës dhe duke kërkuar hetimin me përparësi të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
“Jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve”, thuhet në reagim.
BE-ja nënvizon se veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me të drejtat themelore, ndërsa kërkon që rastet e pretenduara të hetohen me përparësi.
Delegacioni u bën gjithashtu thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, përfundon reagimi i Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Reagimi vjen në një kohë kur protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa vëmendja është përqendruar edhe te mënyra se si policia ka menaxhuar situatën.



