Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Luan Banushi
Dje, për shkak të një përllogaritjeje të gabuar nga ana ime, u ndodha “në mes të grupit të zjarrit” të Partisë Demokratike.
Më duhej të shkoja në zyrë. E kam te “ish-Blloku”.
Mendova se në orën që po nisesha unë “protestuesit” do ishin akoma para Kryeministrisë.
Prandaj thashë po kaloj këtej nga selia e PD-së, tek “ish-hotel Dajti” dhe hidhem matanë pa problem.
Kur mbërrita te selia e PD-së pashë një tufë nga këta të grupit të zjarrit që po rrinin aty jashtë, në rrugë. Djem si lastar, me maskë, natyrisht, rrinin të qetë.
Befas dëgjova njërin që u thirri: “Hej, mblidhuni, hajdeni të shkojmë, pse, për çfarë kemi ardhur ne këtu, të rrimë?”
Vazhdova të ecja normalisht, pa treguar ndonjë shenjë frike, derisa dola tek cepi i “ish-hotel Dajtit”.
Pamja që m’u hap ishte vërtet pikëlluese.
Luftë e pastër. Tym dhe flakë, bulevardi i mbushur plot me gurë, policët me skafandër, makina e policisë që hidhte ujë.
Qëndrova për pak aty. M’u kujtua viti ‘97 që s’di pse i thonë i mbrapshtë, kur në fakt jemi ne të mbrapshtë.
Ja, po tani, viti është i mbrapshtë?
M’u kujtua prapë Lenci, “romantiku i fundit” i romanit “Tre shokët” të Remarkut, i vrarë nga një militant nazist. E kam lexuar fare i ri këtë libër dhe ajo skenë nuk më shqitet nga mendja.
Në regjimin e kaluar nuk kisha përjetuar përplasje të tilla politike në rrugë, që vërtet qenkan të rrezikshme, se interesat janë të mëdha.
Mirë në Gjermani, se është vend i madh, po këtu, në këtë vend kaq të vogël, ku na lidhin kaq shumë fije me njëri-tjetrin?
Një shoku im, tashmë i ndjerë, kur shihte grindje apo sherre të mëdha, thoshte: “Ne shqiptarët, po të drejtojmë brezat, dalim të gjithë kushërinj”.
…
“Më mirë një shtet i keq se pa shtet fare”, thuhet.
E kisha dëgjuar si shprehje, por ndryshe, fare ndryshe është ta përjetosh.
Viti 1997 nuk është larg. Siç e përmenda, kam përjetuar tmerr. Nuk do ta harroj kurrë.
Isha operuar nga mesi me hernie diskale dhe nuk mund të lëvizja ose lëvizja fare pak dhe me shumë kujdes, se mund edhe të paralizohesha.
Në pallatin ku banoja, në katin e dytë, po bëhej një shtesë dhome për secilin kat. Nga shkallët që kishin vendosur ndërtuesit mund të hyje pa asnjë pengesë drejt në dhomën time të gjumit.
Unë, jo vetëm që isha i pamundur fizikisht, por as armë nuk kisha.
Qëndroja pa gjumë, aq sa mund të qëndroja, por natyrisht më zinte gjumi.
Për herë të parë u ndjeva i mbaruar: As teorikisht s’isha në gjendje të mbroja gruan dhe fëmijët e mi.
Fati më shpëtoi nga ndonjë mënxyrë.
…
E pra, kjo këmbëngulja për destabilizimin e vendit, për krijimin e me demek një qeverie tranzitore, më tremb.
Mua, përvoja e vitit 1997 dhe e qeverisë Fino nuk më lejon ta dëgjoj fjalën “tranzitore” si një premtim sigurie, përkundrazi kemi shembull të frikshëm prej saj.
Kurrë nuk do të doja të përsëritet e njëjta situatë, ngaqë duan pushtet ca të papërgjegjshëm!…



