Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar shpalljen publike të të pandehurve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të akuzuar në dosjen e inceneratorit të Tiranës, pasi ndaj tyre ende nuk është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Seanca gjyqësore për dy të pandehurit është parashikuar të mbahet më 3 nëntor, në orën 09:30. Në kushtet kur ata nuk janë vënë ende në dispozicion të drejtësisë, gjykata ka vendosur që njoftimi për ta të afishohet në faqen zyrtare të institucionit dhe në këndin e njoftimeve të GJKKO-së.
Mërtiri dhe Zoto janë shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Pavarësisht masës së sigurisë të caktuar ndaj tyre, ekzekutimi i saj nuk është realizuar ende.
Hetimet për koncesionin e inceneratorit të Tiranës
Sipas rezultateve të hetimeve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto dyshohet se kanë qenë pronarët faktikë të shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k., e cila ka përfituar kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës, si dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu lidhjet e tyre me shoqërinë mëmë të regjistruar në Holandë, “Integrated Energy B.V.”, e cila më pas ka ndryshuar emrin në “Geogenix B.V.”.
Sipas akuzës, dy të pandehurit dyshohet se kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur pronësinë e tyre faktike mbi kompaninë koncesionare.
Akuzat ndaj Mërtirit dhe Zotos
Për çështjen e inceneratorit të Tiranës, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto akuzohen për disa vepra penale, mes të cilave “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Akuzat përfshijnë gjithashtu veprat penale të lidhura me grupin e strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.





