KreuAktualitetPolitikaPD bojkoton konsultimet me Begajn për zgjedhjet e 2027

PD bojkoton konsultimet me Begajn për zgjedhjet e 2027

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në konsultimet e thirrura nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar procesin një “teatër politik”, duke pretenduar se data e zgjedhjeve është paracaktuar nga kryeministri Edi Rama.

Takimi mes Presidentit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare është parashikuar të zhvillohet më 30 tetor. Ftesa u është dërguar partive politike që kanë deputetë në Kuvend, ndërsa Partia Socialiste dhe forca të tjera politike kanë pranuar të marrin pjesë në konsultime.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka kundërshtuar ftesën e kreut të shtetit, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe duke ngritur akuza për mënyrën se si po ushtrohet funksioni presidencial.

“Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik”, shkruan Bardhi.

Ai e ka cilësuar Presidentin Bajram Begaj si një “ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës”, duke e akuzuar se nuk po reagon ndaj shqetësimeve që opozita ngre për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, kreu i shtetit duhet të kishte një rol më aktiv përballë kërkesave të qytetarëve, të cilët, sipas tij, po protestojnë edhe për garancitë e procesit zgjedhor.

“Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh”, deklaron Bardhi.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat vijon akuzat ndaj Presidentit, duke pretenduar se ai po qëndron në heshtje përballë problematikave të ngritura nga opozita.

“Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson”, përfundon Bardhi.

Konsultimet e thirrura nga Presidenti Begaj synojnë diskutimin me përfaqësuesit e forcave politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Vendimi për të mos marrë pjesë në takim shënon qëndrimin e PD-së ndaj këtij procesi, të cilin Bardhi e konsideron të paracaktuar nga kryeministri Rama.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat