Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni i Etikës ka vendosur përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Vendimi është marrë pas debateve në seancën e fundit plenare, ku Berisha u akuzua nga kryeparlamentari Niko Peleshi se po nxiste dhunën me deklaratat e tij nga foltorja e Kuvendit.
Gjatë seancës së djeshme, Berisha kishte kërkuar fjalën për procedurë, por në fjalën e tij u ndal te protestat e fundit në Tiranë dhe dhuna e ushtruar ndaj të rinjve. Ai akuzoi mazhorancën për dhunën ndaj protestuesve, duke përdorur edhe tone të ashpra ndaj deputetëve të shumicës.
“ Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë seancë, java dhe ditët që kaluan, Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë, barbari të papara gjatë asnjë pushtimi. Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh, u çanë kafka, mjetet më të egra u përdorën kundër të rinjve. Këta parlamentarë që shihni këtu, këta janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka, se ata që çajnë kafka. Këta janë kriminelë dhe këta e meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera, jo të rinjtë”, deklaroi Berisha.
Gjatë ndërhyrjes, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e ndërpreu duke e paralajmëruar se deklaratat e tij po përbënin thirrje për dhunë.
Përveç Berishës, Komisioni i Etikës ka vendosur edhe masa disiplinore ndaj pesë deputetëve të tjerë të opozitës. Bledion Nallbati, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi janë përjashtuar për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.
Ndërkohë, sekretariati nuk ka pranuar kërkesën për përjashtimin me 60 ditë të deputetes Klodiana Çapja, duke vendosur të mos marrë masë disiplinore ndaj saj.



