Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Në prag të protestës së paralajmëruar për ditën e shtunë në Tiranë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se protestat në qendër të kryeqytetit dhe pranë institucioneve qeveritare vijojnë, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në përplasje të dhunshme, me përdorim të mjeteve ndezëse, hedhje gurësh dhe dëmtim të pronës.
Sipas paralajmërimit, demonstrata të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Ambasada nënvizon se protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, bllokime të qarkullimit, devijime të trafikut dhe mbyllje të akseve rrugore.
Një tjetër shqetësim i ngritur në njoftim lidhet me rrezikun për personat që ndodhen pranë zonave të protestave. Ambasada paralajmëron se ata mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur në drejtim horizontal, mjeteve ndezëse dhe predhave të gomës.
Për këtë arsye, personelit të saj i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat. Gjithashtu, ambasada paralajmëron se mund të ketë kufizime ose mbyllje të tjera të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe institucionet qeveritare.
Në fund të njoftimit, qytetarëve amerikanë u kërkohet të shmangin protestat, të tregojnë kujdes për mjedisin përreth, të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve, si dhe të kenë një plan emergjence në rast se ndodhen pranë zonave ku zhvillohen demonstratat.



