KreuDrejtësiaA rrezikohen dosjet e korrupsionit?/ Prokurorët kundër rregullave të reja për sekuestrimin...

A rrezikohen dosjet e korrupsionit?/ Prokurorët kundër rregullave të reja për sekuestrimin e telefonave

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Shoqata e Prokurorëve ka ngritur shqetësime për projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, që lidhen me sekuestrimin dhe kontrollin e pajisjeve celulare dhe provave dixhitale, duke paralajmëruar se procedurat e parashikuara mund të vështirësojnë hetimet penale.

Në analizën e saj, Shoqata thekson se sekuestrimi fizik i një telefoni nuk garanton automatikisht sigurimin e provës, pasi të dhënat elektronike mund të fshihen në distancë, të ndryshohen ose të bëhen të paarritshme nëse nuk ruhen në kohë.

Projektndryshimet parashikojnë një procedurë me disa faza autorizimi dhe kontrolli për aksesimin, kërkimin dhe shqyrtimin e të dhënave në pajisjet elektronike. Në rastet kur gjatë kontrollit lind nevoja për të dhëna që tejkalojnë kufijtë e autorizimit fillestar, kërkohet një autorizim i ri gjyqësor.

Pikërisht këtu përqendrohen kundërshtimet e prokurorëve. Sipas Shoqatës, ndërthurja e këtyre kërkesave me kufizime të shumta dhe rrezikun e papërdorshmërisë së provave mund të burokratizojë procesin hetimor dhe të pengojë mbledhjen e tyre në kohë, veçanërisht në dosjet komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një tjetër problem i evidentuar lidhet me përcaktimin paraprak të aplikacioneve, fjalëve kyçe dhe filtrave që do të përdoren gjatë kontrollit të pajisjeve. Shoqata argumenton se hetuesit nuk mund të dinë paraprakisht përmbajtjen e plotë të komunikimeve dhe se mesazhet e koduara apo të nënkuptuara mund të marrin kuptim vetëm kur analizohen së bashku me prova të tjera dhe kontekstin e çështjes.

Sipas saj, kufizimi i parakohshëm i kërkimit mund të lërë jashtë hetimit pikërisht informacionin që mund të ndihmojë në zbulimin e një vepre penale.

Për këtë arsye, Shoqata e Prokurorëve kërkon që në projektndryshime të bëhet një dallim i qartë mes ruajtjes teknike të menjëhershme të të dhënave dhe procesit të mëvonshëm të kërkimit, përzgjedhjes dhe analizimit të përmbajtjes së tyre.

Shoqata kërkon rishikimin dhe thjeshtimin e procedurave, duke vendosur rregulla të qarta për rastet urgjente, kufijtë e aksesit, ruajtjen e të dhënave dhe kontrollin efektiv gjyqësor.

Sipas qëndrimit të saj, mbrojtja e privatësisë dhe sigurimi në kohë i provave dixhitale nuk duhet të trajtohen si objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të garantohen njëkohësisht për të mos cenuar as të drejtat e individëve dhe as efektivitetin e hetimeve penale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat