Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të rikthehet në tryezën e diskutimeve të hënën, më 9 nëntor, në orën 13:00. Në mbledhjen që do të zhvillohet në sallën “Pjetër Arbnori” të Kuvendit, në fokus do të jenë çështjet e vetëqeverisjes vendore, projektligji për financimin e partive politike dhe problematikat e mbetura të reformës zgjedhore.
Bashkëkryetari i komisionit nga Partia Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka bërë publike propozimet e opozitës, duke kërkuar që reforma të përqendrohet te rekomandimet e OSBE/ODIHR për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas Bylykbashit, problemi kryesor që duhet të adresojë reforma është mungesa e kushteve të barabarta për konkurrimin elektoral. Demokratët kërkojnë ndarjen e shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e përdorimit të administratës publike dhe të burimeve shtetërore për përfitime elektorale, si dhe ndëshkimin e shkeljeve gjatë procesit zgjedhor.
“Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR, por edhe në raportet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe, së fundmi, Komisionit Europian: garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor”, deklaroi Bylykbashi.
Një nga propozimet kryesore të PD-së lidhet edhe me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Demokratët kërkojnë kalimin në sistemin proporcional kombëtar dhe vendosjen e listave të hapura, si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për zgjedhjen e këshillave bashkiakë.
Bylykbashi argumenton se një sistem i tillë do t’u jepte qytetarëve më shumë mundësi për të vendosur se cilët kandidatë do t’i përfaqësojnë, ndërsa do të ulte barrierat për partitë që duan të marrin pjesë në garën elektorale.
“Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë dhe me sa më pak barriera për partitë që duan të marrin pjesë në garë”, u shpreh ai.
Në tryezën e së hënës do të diskutohet edhe projektligji për financimin e partive politike. PD kërkon vendosjen e rregullave më të qarta për financimin e subjekteve politike, si dhe mekanizma që të ndalojnë përdorimin e parave dhe aseteve publike për qëllime elektorale. Sipas Bylykbashit, zbatimi i ligjit të ri parashikohet të nisë pas zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Bashkëkryetari demokrat bëri të ditur se opozita ka përgatitur një paketë konkrete propozimesh dhe amendamentesh, duke kritikuar njëkohësisht ecurinë e deritanishme të diskutimeve në komision, të cilat sipas tij nuk janë përqendruar sa duhet te rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Komisioni i Reformës Zgjedhore, i ngritur rreth një vit më parë, ndodhet tashmë në muajin e fundit të mandatit. Ndryshimet që do të dalin nga puna e tij pritet të përcaktojnë rregullat për zgjedhjet e ardhshme vendore, të planifikuara për 9 maj 2027.



