Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të ndërpresë bojkotin parlamentar dhe të rikthehet në tryezën e Reformës Zgjedhore, duke paralajmëruar se mazhoranca nuk do të presë pafundësisht opozitën.
Në një konferencë për mediat, Balla deklaroi se Partia Socialiste nuk do të mbështesë një tjetër shtyrje të afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, puna e të cilit përfundon më 30 nëntor. Ai paralajmëroi se nëse demokratët nuk rikthehen në tryezën e diskutimeve, socialistët do ta miratojnë reformën edhe pa konsensusin e opozitës.
“Data 30 nëntor është afati i fundit i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Grupi i PS-së nuk mund të mbështesë zgjatjen e afatit. Konsensusi është 84 vota, ne i kemi dhe do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme nëse PD nuk vjen. Anëtarësimin e Shqipërisë në BE s’mund ta mbajë peng askush”, deklaroi Balla.
Një tjetër çështje ku mazhoranca kërkon të ecë përpara është ligji për financimin e partive politike. Balla tha se ky ligj duhet të miratohet brenda këtij viti, përpara Krishtlindjeve, duke theksuar se PS do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta përmbyllur procesin.
Përveç Reformës Zgjedhore, kreu i grupit parlamentar socialist i kërkoi opozitës të ndërpresë bojkotin dhe të marrë pjesë në seancën e ardhshme parlamentare, ku do të diskutohet buxheti i shtetit.
Sipas Ballës, buxheti i vitit të ardhshëm, të cilin ai e cilësoi si më të madhin në histori, me vlerë mbi 10 miliardë euro, meriton praninë e opozitës në Kuvend. Ai përmendi edhe uljen e TVSH-së, për të cilën tha se do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e familjeve shqiptare.
“Prej një muaji PD ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe ftesa ime për ta është të ndërpresin bojkotin. Rasti më i parë është seanca e javës së ardhshme e buxhetit të shtetit. Nuk ka moment më të rëndësishëm”, u shpreh Balla.
Në përfundim, ai tha se ende shpreson që deri më 30 nëntor Partia Demokratike të reflektojë dhe të rikthehet në diskutimet për reformën, por la të qartë se mazhoranca nuk ka ndërmend të shtyjë afatin e komisionit dhe as miratimin e ligjit për financimin e partive politike.



