KreuDrejtësiaZhduket Oltion Bistri/ Si u la i lirë ish-shefi i Operacionales

Zhduket Oltion Bistri/ Si u la i lirë ish-shefi i Operacionales

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Policia nuk ka mundur ende të ekzekutojë vendimin e Apelit të Posaçëm për ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri, i dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për dosjen e bujshme “Metamorfoza”. Forcat e policisë kanë shkuar në banesën e tij për ta arrestuar, por nuk e kanë gjetur. Sipas informacioneve, Bistri ndodhet prej muajsh jashtë territorit të Shqipërisë, çka e ka bërë të pamundur deri më tani zbatimin e vendimit të gjykatës.

Një ditë pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, ish-drejtuesi i policisë rezulton ende i lirë, ndërsa ndaj tij rëndon një dënim për disa vepra penale, mes të cilave korrupsioni pasiv dhe pastrimi i parave.

Apeli i Posaçëm e dënoi Bistrin me 11 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare e dënimit u ul në 7 vite e 4 muaj burg. Sipas përllogaritjeve të prokurorëve të SPAK, nga kjo masë atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg.

Vendimi i Apelit shënon një rëndim të pozitës penale të ish-shefit të Operacionales krahasuar me vendimin e shkallës së parë. Në vitin 2025, GJKKO e kishte dënuar Bistrin vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete. Ndërsa Apeli e shpalli fajtor edhe për korrupsionin pasiv dhe pastrimin e parave, duke pranuar kështu një përgjegjësi penale më të gjerë për rolin e tij në ngjarjet e zbardhura nga dosja “Metamorfoza”.

Përveç dënimit me burg, gjykata riktheu edhe konfiskimin e pasurive të Bistrit. Bëhet fjalë për tre apartamente, dy dyqane dhe një shumë prej 1 milion eurosh cash. Këto pasuri ishin pjesë e masave të vendosura në kuadër të hetimit për aktivitetin e tij dhe dyshimet për pasuri me burim të paligjshëm.

Nga burgu në liri, si përfitoi Bistri nga koha e paraburgimit

Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik 2023 dhe qëndroi në qeli deri më 18 nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Posaçme urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm. Shkak u bë përllogaritja e kohës së kaluar në paraburgim, e cila u konsiderua e mjaftueshme për të shlyer dënimin që kishte marrë në shkallën e parë.

Bistri kishte qëndruar rreth 2 vite e 4 muaj në paraburgim, periudhë e cila, sipas përllogaritjes ligjore, iu llogarit si 3 vite e 6 muaj burg. Kjo bëri që ai të dilte nga qelia në nëntor 2025, ndonëse çështja nuk kishte marrë ende formë përfundimtare në Apelin e Posaçëm.

Tashmë, pas vendimit të ri, situata ndryshon. Dënimi i rënduar nga Apeli dhe koha e mbetur për vuajtje e vendosin sërish Bistrin përballë ekzekutimit të një vendimi me burg, por largimi i tij nga Shqipëria e ka kthyer arrestimin në një tjetër problem për autoritetet.

“Metamorfoza”, lidhjet e Bistrit me biznesmenin e kazinove dhe grupin e Bajrave

Emri i Oltion Bistrit doli në qendër të një prej dosjeve më të bujshme të SPAK, atë të njohur si “Metamorfoza”, e cila zbuloi lidhje mes biznesmenit të kazinove Pëllumb Gjoka, drejtuesve të policisë dhe anëtarëve të grupit kriminal të Bajrave në Shkodër.

Sipas hetimeve, ish-shefi i Operacionales përdorte pozicionin e tij në polici për të informuar Pëllumb Gjokën mbi lëvizjet e uniformave blu dhe kontrollet që mund të kryheshin ndaj aktiviteteve të tij. Në komunikimet e zbardhura nga hetuesit, Bistri e paralajmëronte biznesmenin për kontrollet e policisë, ndërsa e siguronte se kazinoja e tij në Tiranë do të mbetej e paprekur.

Këto komunikime nxorën në pah dyshimet për përdorimin e informacionit dhe të funksionit policor në favor të interesave të një biznesmeni të lidhur me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Dosja “Metamorfoza” nuk u kufizua vetëm te Bistri dhe Pëllumb Gjoka. Në hetim u përfshi edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, i cili në shkallën e parë u dënua për zbulimin e të dhënave sekrete dhe dy episode të korrupsionit pasiv.

Hetimet e SPAK zbuluan një rrjet komunikimesh dhe marrëdhëniesh mes personave me funksione shtetërore dhe individëve të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si informacioni dhe autoriteti i institucioneve të sigurisë mund të përdoreshin në shërbim të interesave private.

Ndërsa Apeli ka dhënë vendimin përfundimtar për Bistrin, mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të mund ta lokalizojnë dhe ta arrestojnë ish-drejtuesin e policisë, i cili, pavarësisht dënimit të ri, ende nuk është kthyer në qeli.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat