Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në ambientet e SPAK-ut në cilësinë e kallëzuesit për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, por pa pasur me vete dokumente të reja për të depozituar pranë Prokurorisë së Posaçme. Dalja e tij nga SPAK u shoqërua me një përplasje të ashpër me gazetaren e News24, Klodiana Lala, pasi kjo e fundit e pyeti nëse kishte dorëzuar prova për pretendimet e ngritura ndaj gjyqtares.
Fillimisht, Berisha pretendoi se kishte pasur kohë për të mbledhur dokumentet, ndërsa kur gazetarja e pyeti drejtpërdrejt nëse kishte dorëzuar ndonjë material gjatë paraqitjes së sotme, ai deklaroi se dokumentet që kishte në dispozicion i kishte depozituar më herët, në kuadër të padisë së bërë prej tij.
Pyetja e përsëritur e Lalës shkaktoi irritimin e kryedemokratit, i cili e zhvendosi debatin nga dokumentet dhe provat për çështjen e Irena Gjokës te sulmet personale ndaj gazetares. Berisha e akuzoi atë se përdoret nga SPAK për të publikuar informacione dhe për të krijuar gjykime publike ndaj personave përpara se çështjet të shqyrtohen në gjykatë.
“Unë ato dokumente që kam pasur, i kam dorëzuar në padinë që kam bërë”, u shpreh Berisha, duke mos dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse gjatë paraqitjes së sotme kishte dorëzuar dokumente të tjera.
Kur Klodiana Lala e pyeti se cilët persona, sipas tij, po mbrohen nga media, Berisha vijoi me akuzat, duke pretenduar se gazetarja funksionon si një kanal për përcjelljen e informacioneve nga SPAK.
“Ke lënë përshtypjen, jo media, po Klodiana, ka lënë përshtypjen me ca informacione që funksionon si një enë sifon e informacioneve”, deklaroi kreu i PD-së.
Gazetarja i kërkoi të shpjegonte më konkretisht akuzat, duke i kujtuar se sa herë përballet me pyetje kritike, ai zgjedh të sulmojë median. Berisha e vijoi përplasjen, duke e pyetur se nga kush i merr informacionet dhe duke këmbëngulur se ajo është e keqpërdorur.
“Ti je e keqpërdorur. Kaq. Vetëm kaq”, iu drejtua ai gazetares.
Lala reagoi duke theksuar se është gazetare dhe se mban përgjegjësi për çdo fjalë që thotë përpara opinionit publik. Ajo i kujtoi Berishës se është mësuar me sulmet e politikës dhe se këto qëndrime nuk e pengojnë të bëjë detyrën e saj.
Por kryedemokrati nuk u tërhoq nga akuzat, duke e cilësuar gazetaren si një nga personat që, sipas tij, keqpërdoren më shumë.
“Ti je një nga gazetaret më të keqpërdorura zonjë dhe nuk të ka përgjegjësi as Sali Berisha, as opozita. Gjeje vetë përgjegjësinë”, tha Berisha.
Në fund, pas një tjetër kërkese të Lalës për të ditur nëse kishte dorëzuar dokumente në SPAK, Berisha nuk dha një përgjigje të qartë, ndërsa në bisedë ndërhyri edhe Jamarbër Malltezi.
Çfarë qëndron pas kallëzimit për Irena Gjokën?
Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kanë kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, lidhur me një dënim të pretenduar në Greqi. Ata kanë ngritur pretendime se gjyqtarja nuk ka deklaruar të dhënat që lidhen me këtë çështje në formularin e saj.
Emri i Irena Gjokës është veçanërisht i rëndësishëm për Berishën dhe Malltezin, pasi ajo ka firmosur kërkesat e SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, ku të dy janë të përfshirë. Për këtë arsye, çështja e gjyqtares është kthyer në një prej pikave të vazhdueshme të sulmeve të kryedemokratit ndaj drejtësisë së posaçme.



