Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
28 punonjës janë larguar nga Garda e Republikës gjatë vitit 2026, shumica për t’u punësuar në vende të tjera. Shifra u bë publike nga drejtori i Gardës, Simon Zereci, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin 2027.
Largimet u diskutuan pas shqetësimit të ngritur nga deputeti i opozitës, Erald Kapri, i cili vuri në dukje problematikat financiare me të cilat përballen punonjësit e kësaj strukture. Sipas tij, pavarësisht kualifikimit dhe përgjegjësive që mbartin, gardistët e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet e jetesës në kryeqytet dhe të mbajnë familjet me pagat që marrin.
I pyetur për numrin e punonjësve që kanë dhënë dorëheqjen, drejtori i Gardës, Simon Zereci, konfirmoi largimin e 28 efektivëve gjatë këtij viti.
“Për vitin 2026, nga Garda janë larguar 28 punonjës për arsye të punësimit në vende të tjera. Kanë gjetur vende të tjera dhe një pjesë e vogël është për arsye shëndetësore”, deklaroi Zereci.
Deputeti Kapri kërkoi një trajtim më të mirë financiar për efektivët, duke argumentuar se largimi i punonjësve të kualifikuar lidhet edhe me pamundësinë për të përballuar jetesën.
“E bëra këtë pyetje se kisha informacion dhe bindjen që në radhët e Gardës, që ka shumë profesionistë që konsiderohen si trupa elitare e shërbimit në fushën e sigurisë në Republikën e Shqipërisë, e lënë detyrën se me kapacitetin dhe punën që ofrojnë e kanë të vështirë të mbajnë familjen e tyre, të bëjnë një punë të dytë, se jeta në kryeqytet për ta është pothuajse e pamundur”, u shpreh ai.
Kapri kritikoi gjithashtu mënyrën se si shteti trajton financiarisht punonjësit e kësaj strukture, duke theksuar se përgjegjësitë dhe kualifikimi i tyre nuk po shoqërohen me të ardhura të përshtatshme.
“Është tragjike ta mendosh sesi një punonjës Garde, me kualifikimin që ka, me profesionin që ka, të mos marrë mbrapsht nga shteti dhe shoqëria atë që i takon. Flasim për një trupë elitare”, deklaroi deputeti.
Ndërkohë, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027, drejtori i Gardës bëri të ditur se institucioni do të ketë në dispozicion 2.84 miliardë lekë, me një rritje prej 2.6% krahasuar me vitin 2026.
Pjesa dërrmuese e këtij fondi, rreth 2.73 miliardë lekë ose 96.1% e buxhetit, është parashikuar për shpenzime korente, ku përfshihen pagat, sigurimet shoqërore dhe shpenzimet e tjera të funksionimit. Ndërsa për investime janë parashikuar 110 milionë lekë, ose vetëm 3.9% e buxhetit.
Nga fondi i investimeve, 55.5 milionë lekë do të përdoren për rinovimin e mjeteve të transportit, 18.06 milionë lekë për integrimin e sistemeve të sigurisë dhe kamerave të vëzhgimit në objektet e rëndësisë së veçantë dhe 32 milionë lekë për rikonstruksionin e objektit të Sektorit të Ruajtjes së Rezidencave në Vlorë.
Ndërkohë, 4.44 milionë lekë janë parashikuar për modernizimin e sektorit të ruajtjes me armët e shkatërrimit në masë.



