KreuAktualitetPolitikaNga Sazani te shtyrja e samitit të NATO-s dhe dorëheqja/ Çfarë tha...

Nga Sazani te shtyrja e samitit të NATO-s dhe dorëheqja/ Çfarë tha Rama në Irlandë?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Bashkimin Evropian për mënyrën se si ka menaxhuar marrëdhëniet diplomatike me Rusinë pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke e cilësuar gabim mbylljen e kanaleve të komunikimit me Moskën. Gjatë një prononcimi për mediat në ditën e dytë të takimit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin të Irlandës, Rama tha se Evropa duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, por njëkohësisht të mos heqë dorë nga dialogu me Rusinë.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Bashkimi Evropian ka deleguar diplomacinë te palë të tjera dhe është përqendruar vetëm te mbështetja ushtarake, pa mbajtur një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Moskën.

“Ka qenë një gabim i madh delegimi i diplomacisë te të tjerët dhe fokusimi vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur një kanal të hapur komunikimi me Rusinë. Na pëlqen ose jo, Rusia është aty dhe nuk do të zhduket. Ndërkohë që mbështesim Ukrainën, duhet edhe të bisedojmë”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se çështja duhet parë nga këndvështrimi i interesave të vetë Bashkimit Evropian dhe jo thjesht në funksion të besimit apo mosbesimit ndaj palëve të përfshira në konflikt.

Sazani dhe projekti i Kushner, Rama: Nuk ka marrëveshje dhe as ishull të shitur

Një tjetër çështje për të cilën u pyet kryeministri ishte projekti i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për zhvillimin e një projekti turistik në ishullin e Sazanit.

Rama mohoi që të jetë arritur një marrëveshje me grupin e investitorit amerikan, duke theksuar se bisedimet vijojnë dhe se Kushner është një prej investitorëve të huaj që kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri.

Ai hodhi poshtë pretendimet se ishulli i është dhënë apo shitur investitorit amerikan, duke këmbëngulur se Sazani mbetet pronë e Shqipërisë.

“Nuk kam asnjë marrëveshje me Kushnerin. Ai është një nga shumë investitorët që kanë shprehur interes për vendin tonë. Bisedimet me grupin e tij të punës vijojnë. Nuk ka ende një marrëveshje dhe nuk ka asnjë ishull të shitur apo kërkesë për ta blerë. Është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur projekti i parashikuar për Sazanin ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të përfshirjes së Kushner dhe interesit për zhvillimin e ishullit në një destinacion turistik.

Samiti i NATO-s në Tiranë, Rama: Mund të mbahet në vitin 2028

Gjatë intervistës, Rama u ndal edhe te debatet për organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri. Një artikull i publikuar një ditë më parë nga Politico kishte ngritur pretendime se Shqipëria kishte propozuar shtyrjen e samitit ose zhvillimin e tij në format virtual.

Këto pretendime ishin kundërshtuar nga ministri Ermal Nufi, ndërsa këtë herë ka reaguar edhe vetë kryeministri, i cili i cilësoi diskutimet si “marrëzira”.

Rama konfirmoi se Shqipëria mbetet vendi pritës i samitit të ardhshëm të Aleancës, por tha se ende nuk është përcaktuar një datë e përbashkët për zhvillimin e tij.

Sipas tij, samiti nuk pritet të mbahet në vitin 2027, ndërsa viti 2028 është një mundësi për organizimin e tij në Tiranë.

“Shqipëria është caktuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s. Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027 dhe, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë”, deklaroi Rama.

Kështu, pavarësisht paqartësive për kalendarin, kryeministri mohoi që Shqipëria të ketë kërkuar zhvillimin virtual të samitit apo të ketë hequr dorë nga organizimi i tij.

Dorëheqja, Rama: Shqiptarët më dhanë mandat të fortë vitin e kaluar

Në fund, gazetarët e pyetën kryeministrin edhe për mundësinë e dorëheqjes, në një kohë kur në Shqipëri janë ngritur pikëpyetje dhe kritika ndaj qeverisë së tij.

Rama iu përgjigj se vendimi për largimin e tij nuk mund të përcaktohet nga gazetarët apo aktorë të tjerë jashtë vendit, por i takon qytetarëve shqiptarë. Ai iu referua mandatit të marrë në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke theksuar se sipas tij shqiptarët i kanë dhënë mbështetje për të vijuar drejtimin e vendit dhe procesin e integrimit evropian.

“Kjo nuk është çështje që mund ta vendosni ju, por i takon qytetarëve shqiptarë. Dhe populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Kjo nuk ka ndodhur 10 vite më parë, por ka ndodhur vitin e shkuar”, tha Rama.

Kryeministri tha, gjithashtu se perceptimi për situatën politike në Shqipëri është ndikuar nga ato që i cilësoi si gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta të përhapura për vendin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat