KreuAktualitetPolitikaDrafti-Administrata dhe paratë publike nën kontroll/ PD kërkon kompetenca të reja për...

Drafti-Administrata dhe paratë publike nën kontroll/ PD kërkon kompetenca të reja për KQZ-në

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Partia Demokratike ka paraqitur një paketë propozimesh për reformën zgjedhore, përmes së cilës kërkon ndarjen e qartë të shtetit nga partitë politike, forcimin e neutralitetit të administratës publike dhe ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për përfitime elektorale.

Në dokumentin e qëndrimit të saj, PD argumenton se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk mund të garantohen vetëm përmes administrimit të rregullt të procesit të votimit, por kërkojnë edhe mbrojtjen e zgjedhësve nga presioni politik, shpërblimet apo hakmarrja për shkak të bindjeve të tyre.

Një nga pikat kryesore të paketës është vendosja e një ndalimi të përgjithshëm për përdorimin e pushtetit, fondeve, personelit, pasurisë, të dhënave dhe autoritetit të institucioneve publike në funksion të konkurrencës politike. Sipas propozimit, ndalimi duhet të përfshijë institucionet qendrore dhe vendore, ndërmarrjet publike, titullarët dhe punonjësit e administratës, pavarësisht se cila forcë politike është në pushtet.

Demokratët theksojnë se qeverisja dhe funksionimi normal i institucioneve nuk duhet të ndërpriten gjatë fushatës, por burimet publike nuk mund të përdoren për të krijuar avantazh elektoral. Për këtë arsye, dokumenti propozon kontrollin e vendimeve që lidhen me buxhetin, prokurimet, investimet, pagesat, shërbimet publike, inspektimet dhe aktivitetet promovuese të institucioneve.

Në fokus të propozimeve është edhe administrata publike. PD kërkon masa kundër presionit hierarkik ndaj punonjësve, mobilizimit të tyre për qëllime politike dhe përdorimit të marrëdhënieve të punës për të ndikuar te vota. Po ashtu, parashikohet ndalimi i përdorimit të regjistrave dhe të dhënave shtetërore për profilizim, kontaktim apo monitorim politik të qytetarëve.

PD kërkon kompetenca më të forta për KQZ-në

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas dokumentit, KQZ-ja nuk duhet të presë vetëm denoncimet e partive apo raportet e institucioneve të tjera, por të ketë mundësi të nisë vetë monitorimin dhe hetimin e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të burimeve publike.

Për këtë qëllim, paketa parashikon krijimin e një funksioni të posaçëm për monitorim dhe hetim përmes një Nënkomisioneri, i cili do të ketë kompetenca të përcaktuara me ligj për kërkimin e dokumenteve, sigurimin e provave dhe marrjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e shkeljeve.

Modeli i propozuar parashikon ndarjen e funksioneve të hetimit nga vendimmarrja përfundimtare mbi përgjegjësinë dhe sanksionet. Këto të fundit do të shqyrtoheshin nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ndërsa vendimet do t’i nënshtroheshin kontrollit gjyqësor.

Dokumenti propozon gjithashtu një mekanizëm me tri faza: ndalimin e menjëhershëm të shkeljes, rivendosjen e gjendjes së mëparshme dhe vendosjen e sanksioneve ndaj përgjegjësve.

Pavlefshmëri zgjedhjesh dhe humbje mandatesh

Pjesa më e rëndësishme e propozimeve lidhet me pasojat për shkeljet e rënda zgjedhore. Partia Demokratike kërkon që keqpërdorimi i organizuar ose sistematik i burimeve shtetërore të mos ndëshkohet vetëm me gjoba administrative apo përgjegjësi individuale, por në raste të caktuara të sjellë edhe pasoja mbi rezultatin zgjedhor.

Në paketë parashikohen katër masa të dallueshme: pavlefshmëria e zgjedhjeve, ndalimi i kandidimit, humbja e mandatit individual dhe humbja e mandatit proporcional nga subjekti zgjedhor që ka përfituar në mënyrë të paligjshme.

Sipas argumentimit të PD-së, nëse provohet se një subjekt politik ka përfituar mandate përmes përdorimit të paligjshëm të burimeve shtetërore dhe se pa këtë shkelje nuk do t’i kishte fituar ato, korrigjimi duhet të prekë edhe numrin e mandateve të partisë dhe jo vetëm kandidatin që i ushtron.

Për këtë mekanizëm propozohet që KQZ-ja të hetojë dhe të konstatojë faktet, të identifikojë subjektin përfitues dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për verifikimin e zgjedhjes dhe pasojat mbi mandatin.

PD argumenton se pavlefshmëria e zgjedhjeve duhet të mund të zbatohet edhe për shkelje të rënda të kryera përpara ditës së votimit, nëse provohet se ato kanë cenuar lirinë e votës dhe integritetin e rezultatit.

Kufizime për aktivitetet e qeverisë dhe transmetimet televizive

Propozimet prekin edhe aktivitetet publike të qeverisë gjatë periudhës zgjedhore. Dokumenti parashikon ndalimin, gjatë 75 ditëve përpara votimit, të transmetimit të plotë dhe të drejtpërdrejtë të aktiviteteve promovuese të qeverisë dhe institucioneve publike.

Masa synon të shmangë përdorimin e transmetimeve institucionale për të krijuar avantazh elektoral, ndërsa nuk përfshin mitingjet e ligjshme partiake dhe raportimin e pavarur editorial të mediave.

Në dokument argumentohet se ndalimet duhet të shtrihen edhe te materialet e publikuara në faqet zyrtare të institucioneve, profilet e funksionarëve të administruara me burime shtetërore dhe përmbajtjet e shpërndara përmes kontraktorëve të koordinuar.

Paketa propozon gjithashtu një regjim përforcues kalimtar me kohëzgjatje maksimale dhjetëvjeçare, gjatë të cilit do të zbatoheshin mekanizma më intensivë kontrolli dhe kufizime të posaçme. Në vitin e pestë parashikohet një vlerësim nga Kuvendi për të vendosur nëse ky regjim do të ndryshohet apo do të vijojë.

Në argumentimin e saj, PD i referohet edhe raportit përfundimtar të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku janë evidentuar mungesa të kushteve të barabarta të konkurrimit, raportime për përdorimin e burimeve publike dhe presion mbi punonjësit e administratës.

Demokratët i mbështesin propozimet edhe në standardet e OSBE-së, Komisionit të Venecias dhe rekomandimet ndërkombëtare për ndarjen e shtetit nga partitë politike.

Dokumenti përmbledh një paketë të gjerë ndërhyrjesh në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe ligje të tjera që lidhen me administratën, financat publike, prokurimet, mbrojtjen e të dhënave dhe median. Synimi i deklaruar është që përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime partiake të parandalohet që përpara zgjedhjeve dhe të mos mbetet vetëm objekt i ndëshkimeve pas përfundimit të procesit.

Dokumenti i plotë:

Partia konkurron me burimet e partisë. Shteti qeveris me burimet e shtetit.

1. Qëllimi dhe nevoja e reformës Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk sigurohen vetëm me administrimin e rregullt të votimit. Ato kërkojnë ndarjen reale të shtetit nga partia, neutralitet të administratës dhe mbrojtjen e zgjedhësit nga presioni, shpërblimi ose hakmarrja politike. Ligji duhet të pengojë kalimin e pushtetit, parasë, personelit, kompetencave, të dhënave, mjeteve, autoritetit dhe prestigjit të shtetit nga funksioni publik në konkurrencën partiake. Dokumenti i Kopenhagenit i OSBE-së, pika 5.4, kërkon ndarje të qartë ndërmjet shtetit dhe partive politike. Udhëzimet e përbashkëta të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, CDL-AD(2016)004, përfshijnë në burimet administrative përparësitë materiale dhe jomateriale që burojnë nga detyra publike dhe kërkojnë ndalime të parashikueshme, kontroll të pavarur e sanksione efektive. Këto janë standarde dhe rekomandime që mbështesin objektivin e reformës, jo miratim paraprak i çdo dispozite të propozuar. [1–2] Raporti përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 konstatoi mungesën e kushteve të barabarta të konkurrimit, raportime për përdorimin e burimeve publike dhe presion mbi punonjësit publikë; ai kërkoi ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë dhe sanksione për keqpërdorimin e funksionit. Pozicioni i përbashkët i ndërmjetëm i BE-së për Grupkapitullin 1 në vitin 2026 identifikon përkatësisht burimet shtetërore, avantazhin institucional dhe rrjetet e patronazhimit. Kjo e lidh ndërhyrjen me rekomandimet e vëzhgimit zgjedhor dhe me procesin e integrimit europian. [3–5] Problemi është strukturor: qeveria ka ligjërisht kompetenca e burime që opozita nuk i disponon. Kjo epërsi funksionale nuk mund të kthehet në avantazh elektoral përmes përdorimit të shtetit. Reforma synon mekanizma parandalues dhe korrigjues, jo ngrirjen e funksionimit të institucioneve. Kuadri aktual njeh disa ndalime të rëndësishme, veçanërisht në nenet 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor, por ato nuk përbëjnë ende një sistem të plotë parandalimi. Periudhat nuk janë të njëtrajtshme; kontrolli shpesh përqendrohet tek akti formal ose te denoncimi pas kryerjes së veprimit; përdorimi i pushtetit normativ, i zinxhirit të pagesave, i hierarkisë administrative dhe i komunikimit institucional mund të krijojë të njëjtin avantazh përmes rrugëve të ndryshme. Ndalimet e veçuara mund të anashkalohen me parapërgatitje, zhvendosje në kohë ose ndërmjetësim. Për këtë arsye nuk mjafton shtimi i një gjobe apo ndalimi të izoluar. Nevojitet një rregull i përgjithshëm që identifikon burimin publik, lidhjen zgjedhore, subjektin përgjegjës dhe mënyrën e ndërprerjes së efektit. Gjetjet e ODIHR-it nuk duhen përdorur për të supozuar se çdo vendim qeveritar gjatë zgjedhjeve është i paligjshëm, ose për të nxjerrë përfundime të pambështetura mbi ndikimin numerik në rezultat. Ato dokumentojnë një problem të vazhdueshëm të kushteve të konkurrimit, për të cilin ligji duhet të sigurojë mbrojtje paraprake dhe mjete efektive. Dallimi është i rëndësishëm: argumenti për forcimin e rregullave mbështetet te rreziku i njohur dhe mangësitë e zbatimit, ndërsa përgjegjësia në çdo rast mbetet çështje prove individuale.

2. Parimi horizontal dhe kufiri shtet–parti  Asnjë institucion publik, organ qendror apo vendor, ndërmarrje nën kontrollin publik, titullar, funksionar ose punonjës nuk mund të përdorë ose të lejojë përdorimin e funksionit, autoritetit, burimeve dhe informacionit që administron për të mbështetur ose dëmtuar një subjekt zgjedhor, kandidat apo sjelljen politike të zgjedhësit. Burim shtetëror është çdo përparësi materiale ose jomateriale që lidhet me ushtrimin e pushtetit publik: fondet, pagesat, pasuria, mjediset, automjetet, kontratat, koha e personelit, kompetenca normative dhe administrative, kontrolli e inspektimi, shërbimi, informacioni, regjistrat dhe të dhënat personale, infrastruktura e komunikimit, dukshmëria dhe prestigji i funksionit. Ndalimi ndjek funksionin dhe kontrollin real, jo emërtimin formal të subjektit. Ndërmjetësimi nga operatorë, organizatorë apo kontraktorë privatë nuk mund ta ligjërojë atë që institucioni nuk mund ta bëjë vetë. Ndarja e shtetit nga partia nuk është ndalim i shtetit për të vepruar; është detyrimi i tij për të vepruar neutralisht. Qeverisja, shërbimet, pagesat, investimet, prokurimet dhe kontrollet e ligjshme vazhdojnë. Kufiri kalohet kur kompetenca ose burimi devijohet nga qëllimi publik për të krijuar përfitim elektoral, presion, diskriminim ose hakmarrje politike. Ndalimi duhet të jetë neutral ndaj subjektit politik dhe të zbatohet njësoj në qeverisjen qendrore e vendore, në institucionet në varësi dhe në ndërmarrjet publike, pavarësisht partisë që ushtron pushtetin. Nuk është e nevojshme që zyrtari të jetë kandidat. Mjafton që të veprojë duke përdorur kompetencën ose burimin publik në funksion të përfitimit apo dëmtimit elektoral. Nga ana tjetër, cilësimi i një veprimi si politik nuk e bën automatikisht të paligjshëm: duhet identifikuar elementi i ndaluar në mënyrë të parashikueshme dhe të provueshme. Reforma nuk cenon lirinë e bindjes politike, të votës, të shprehjes apo të organizimit të individit. Kufiri juridik është ndërmjet sjelljes personale të ligjshme dhe përdorimit të pushtetit ose varësisë administrative. Kufizimet për kategori të veçanta funksionarësh apo punonjësish, kur janë të nevojshme, kërkojnë bazë të veçantë ligjore, kohëzgjatje të përcaktuar dhe mbrojtje efektive nga ndërhyrja e pajustifikuar në të drejtat e tyre.

3. Fushat e ndërhyrjes dhe ndarja e rregullimeve Paketa përbëhet nga tetë dokumente qëndrimi tematike. Secili rregullon ndalimin material, provën dhe instrumentet e posaçme të fushës së vet; dispozitat e përbashkëta trajtohen vetëm këtu. Kjo ndarje shmang boshllëqet, por edhe përsëritjen e së njëjtës shkelje në disa dispozita.

-Administrata: neutraliteti i punonjësit, marrëdhënia hierarkike, presioni, mobilizimi dhe mbrojtja ndaj represaljeve.

-Pushteti normativ, fiskal dhe social: aktet që krijojnë përfitime, koha e miratimit dhe efekti i shtyrë i zbatimit.

-Buxheti, prokurimet, investimet dhe pasuria: vazhdimësia normale e ciklit planifikimangazhim–kontraktim–pagesë dhe ndalimi i devijimit elektoral.

-Aktet administrative dhe shërbimet: ndalimi i kushtëzimit ose përzgjedhjes politike të përfituesve; patronazhimi.

-Kontrolli dhe shtrëngimi: përdorimi selektiv i inspektimeve, policisë, administratës tatimore dhe kompetencave sanksionuese.

-Të dhënat: ndalimi i përdorimit të regjistrave shtetërorë për profilizim, kontaktim ose monitorim politik.

-Funksioni e aktivitetet zyrtare: inaugurimet, inspektimet promovuese, takimet e organizuara dhe prestigji institucional.

-Komunikimi e media: propaganda e prodhuar nga shteti, materialet e gatshme, transmetimet integrale live dhe shmangia përmes rrjeteve sociale. Kufijtë ndërmjet këtyre fushave janë funksionalë. I njëjti operacion mund të përdorë një akt administrativ, pagesë, personel, të dhëna dhe komunikim. Vlerësohet çdo sjellje e dallueshme; nuk krijohen kundërvajtje ose gjoba të dyfishta për të njëjtin fakt.

4. Kohëzgjatja: ndalim i përhershëm dhe mbrojtje zgjedhore e shkallëzuar Ndalimet themelore janë të përhershme: presioni ndaj punonjësit, përdorimi partiak i të dhënave, patronazhimi, kushtëzimi i shërbimit dhe kontrolli diskriminues nuk lejohen as jashtë periudhës zgjedhore. Intensiteti i masave të posaçme rritet në fazat kur rreziku elektoral është më i madh; ato nuk aktivizohen mekanikisht të gjitha në të njëjtën ditë. Për kufizimet e lidhura me zgjedhjet, pikënisja e përgjithshme propozohet nga data e dekretimit. Kur ndalimi ekzistues fillon katër muaj para votimit, zbatohet cilido afat që vjen më parë, që ligji i ri të mos shkurtojë mbrojtjen ekzistuese. Për kategori të caktuara mund të përdoret një afat ndërmjetës, i lidhur me regjistrimin e subjekteve (75 ditë sipas modelit të shqyrtuar), dhe kufizime më intensive gjatë fushatës 30-ditore. Afati i çdo ndalimi duhet të jetë i shprehur në ligj dhe i justifikuar për kategorinë e subjekteve që kufizon. Pas votimit, deri në transferimin efektiv të funksionit përkatës, mbrojtja ngushtohet te ndalimi i shpërblimeve, hakmarrjes, transferimeve, kontrolleve dhe pagesave të motivuara politikisht. Nuk vendoset një moratorium i përgjithshëm mbi administrimin. Në zgjedhjet e pjesshme dhe vendore, zbatimi territorial i masave që kufizojnë të drejta të palëve të treta duhet të lidhet me garën konkrete. Periudha e mbrojtur nuk mund të kuptohet si një moratorium i vetëm. Dallohen katër nivele:

-ndalimet e përhershme të presionit, kushtëzimit, patronazhimit dhe përdorimit politik të të dhënave;

-nga dekretimi, ose nga afati katërmujor nëse vjen më parë, kufizimi i akteve, aktiviteteve dhe përdorimit të burimeve që krijojnë rrezik elektoral;

-afatet e veçanta të parashikuara për kategori të caktuara, përfshirë lidhjen me regjistrimin e subjekteve dhe fushatën;

-masat e ngushta pas votimit për të parandaluar shpërblimin dhe represaljen. Në të gjitha fazat kompetenca për veprim normal shtetëror vazhdon. Pikënisja nga dekretimi kërkon edhe një rregull të qartë mbi dekretimin e zgjedhjeve dhe mbi mosshkurtimin e ndalimeve aktuale. Për zgjedhjet e përgjithshme, vendore dhe të pjesshme duhet të përdoren kritere objektive për datën, shtrirjen territoriale dhe subjektet që preken. Kufizimi në nivel kombëtar i veprimtarisë së një medie ose i një operatori privat vetëm për shkak të një zgjedhjeje të pjesshme lokale do të kërkonte arsyetim shtesë. Prandaj efektet ndaj palëve të treta kufizohen atje ku ekziston lidhje reale me garën konkrete.

5. Testi i qeverisjes normale: N–D–S–K Pyetja vendimtare nuk është vetëm nëse shteti ka kompetencë për të marrë një vendim, por nëse atë kompetencë po e ushtron normalisht apo po e kthen në avantazh elektoral. Vlerësimi kryhet mbi faktet dhe dokumentet, sipas katër elementeve: Normaliteti: plani, buxheti, praktika dhe ritmi i zakonshëm; a do të kryhej veprimi në të njëjtën kohë e mënyrë edhe pa zgjedhje? Domosdoshmëria: detyrimi ligjor, vendimi gjyqësor, emergjenca, siguria dhe vazhdimësia e shërbimit; pamundësia objektive e shtyrjes.

Selektiviteti: devijimi i pashpjeguar në territor, vlerë, kohë, përfitues, procedurë, intensitet kontrolli ose publicitet.  Konteksti zgjedhor: lidhja e provuar me subjektin politik, mesazhin e fushatës, organizimin partiak, përdorimin e administratës si audiencë ose kushtëzimin politik. Treguesit nuk janë prezumime absolute. Afërsia me votimin nuk mjafton për të provuar shkeljen; as një akt i miratuar përpara dekretimit nuk përjashton kontrollin e pagesës, zbatimit apo promovimit të planifikuar qëllimisht për periudhën zgjedhore. Për masa urgjente kërkohen indicie konkrete dhe rrezik i afërt; për sanksion kërkohet provim i elementeve të kundërvajtjes. Barra e provës për përgjegjësinë nuk i transferohet automatikisht subjektit të kontrolluar. Regjimi nuk ndalon indeksimet automatike, përmbushjen e detyrimeve ligjore, shërbimet e zakonshme ose punët e domosdoshme. Institucioni duhet të dokumentojë arsyen funksionale, veçanërisht kur ka ndryshim të pazakontë të planit.

Përjashtimi për emergjencë nuk autorizon ceremoni, promovim personal apo propagandë. Testi N–D–S–K është instrument verifikimi, jo dispozitë që i lë organit administrativ kompetencën të krijojë shkelje. Elementet e kundërvajtjes, ndalimet kategorike dhe masat përkatëse duhen shkruar në ligj. Testi përdoret kur duhet vlerësuar karakteri real i një veprimtarie që paraqitet si e zakonshme: dokumentet e planifikimit, pagesat, ritmi historik, kriteret e përfituesve, mesazhet institucionale dhe lidhja me strukturën partiake krahasohen në tërësi. Detyrimi i institucionit për të administruar dokumentacionin nuk duhet ngatërruar me përmbysjen e barrës së provës për një sanksion. Në buxhet, në prokurime dhe në investime, kontrolli ndjek zinxhirin PLANIFIKIM – ANGAZHIM – PROKURIM – KONTRAKTIM – REALIZIM – PAGESË – PUBLICITET. Përmbushja normale e një kontrate nuk ndalohet; shqyrtohen parapërgatitja, ndryshimet e pamotivuara të planit, përqendrimi territorial, përshpejtimi ose shtyrja e pagesës dhe promovimi i pazakontë. Po kështu, një shërbim publik nuk bëhet i paligjshëm sepse përfituesi është zgjedhës; e paligjshme është lidhja e provuar e shërbimit me sjelljen e tij politike.

6. Parandalimi i parapërgatitjes dhe i shmangies Kontrolli duhet të ndjekë ciklin e plotë të vendimit, jo vetëm datën e aktit përfundimtar: hartimin, planifikimin, miratimin, angazhimin, kontraktimin, pagesën, realizimin dhe publicitetin. Ndalohet përdorimi i një vendimi të përgatitur më herët për të përqendruar përfitimin ose ekspozimin e tij në një moment elektoral pa shkak objektiv. E njëjta logjikë vlen për inspektimet e përshpejtuara apo të shtyra dhe për aktivitetet e promovuara nga palë të treta nën kontroll institucional. Emërtimi i një veprimtarie si miting partiak nuk lejon ushtrimin e kompetencës shtetërore brenda tij. Premtimi i një programi për qeverisjen paszgjedhore është pjesë e debatit politik; premtimi i një përfitimi konkret para votimit, përmes kompetencës aktuale të funksionarit dhe në funksion të mbështetjes politike, i nënshtrohet ndalimeve përkatëse. Kjo nuk krijon përgjegjësi automatike të medias që transmeton mitingun e ligjshëm.

7. Mbikëqyrja: KQZ aktive dhe ndarje e funksioneve KQZ-ja nuk mund të mbetet një organ që pret raportin e një autoriteti tjetër ose denoncimin e palës së dëmtuar. Ajo duhet të veprojë kryesisht mbi konstatimet e veta, të dhënat publike, informacionin e punonjësve, qytetarëve, organizatave dhe subjekteve zgjedhore. Monitorimi duhet të përfshijë kalendarët e veprimtarive, kontratat e pagesat me risk, përmbajtjen institucionale dhe regjistrat përkatës. Raporti i AMA-s mund të shërbejë si provë, por nuk është kusht për fillimin e veprimit të KQZ-së.

Modeli institucional i propozuar i jep Nënkomisionerit funksion të posaçëm monitorimi dhe hetimi, kompetenca të përcaktuara me ligj për kërkimin e dokumenteve, sigurimin e provave dhe masat e përkohshme të ndërprerjes. KAS vendos mbi përgjegjësinë dhe sanksionin në procedurë kontradiktore, sipas një ndarjeje të qartë mes hetimit dhe gjykimit administrativ. Çdo masë e kufizimit dhe sanksionit i nënshtrohet kontrollit efektiv gjyqësor. Prokuroria dhe SPAK-u veprojnë vetëm kur faktet plotësojnë elementet e veprës penale. Kompetenca e Nënkomisionerit është propozim legjislativ: ajo nuk mund të supozohet se ekziston pa ndryshimin përkatës të Kodit.

Urdhrat urgjentë kërkojnë organ kompetent, kushte të qarta, kohëzgjatje të kufizuar, arsyetim, njoftim dhe kontroll të shpejtë. Zbatimi fillestar nuk kushtëzohet nga ndërtimi i sistemeve të reja informatike; dokumentet shkresore dhe regjistrat ekzistues duhet të jenë të mjaftueshëm. Detyrimi pozitiv për kontroll nuk është një autorizim i përgjithshëm për veprim arbitrar. Nënkomisioneri i propozuar duhet të ketë kompetenca të përcaktuara shprehimisht, afate reagimi, qasje në burimet dokumentare ekzistuese dhe mundësi inspektimi, me gjurmueshmëri të veprimeve.

Organet shtetërore duhet të përgjigjen ndaj kërkesave ligjore dhe të ruajnë provat; mosbashkëpunimi i qëllimshëm duhet të ketë pasojë të veçantë. Ky model nuk kushtëzohet nga krijimi paraprak i një platforme të re elektronike: kalendarët, korrespondenca zyrtare, dokumentet e Thesarit dhe regjistrat ekzistues mjaftojnë për fillimin e kontrollit. Masat e menjëhershme, për shkak se mund të prekin aktivitetin e institucionit, pagesën apo transmetimin, duhet të kenë objekt të kufizuar, afat të shkurtër, motivim konkret dhe rrugë ankimi të shpejtë. Nënkomisioneri mund të konstatojë, të sigurojë prova dhe të kërkojë ose urdhërojë masën provizore vetëm brenda kompetencës së dhënë nga ligji; përgjegjësia përfundimtare dhe gjoba vendosen nga organi kompetent pas dëgjimit të palëve. KAS-i nuk duhet reduktuar në konfirmim formal të aktit të hetimit. Ai duhet të vlerësojë vetë provën, kundërshtimet dhe proporcionalitetin e masës.

8. NDALO – RIVENDOS – SANKSIONO Një gjobë pas zgjedhjeve nuk e heq avantazhin e krijuar para votimit. Për këtë arsye mjetet juridike duhen organizuar në tri funksione të dallueshme:

-NDALO. Urdhër i menjëhershëm, i ekzekutueshëm dhe i arsyetuar për ndërprerjen ose pezullimin e përdorimit të burimit, veprimtarisë, pagesës apo transmetimit të ndaluar. Masa e përkohshme mbështetet në indicie konkrete, është e kthyeshme kur është e mundur dhe i nënshtrohet ankimit të shpejtë.

-RIVENDOS. Heqje e avantazhit të krijuar: kthim i përfitimit financiar të paligjshëm, ndalim ose bllokim i pagesës përmes Thesarit kur ligji e lejon, heqje e përmbajtjes nën kontrollin e shkelësit, rishikim i aktit administrativ dhe riparim i diskriminimit, me respektim të të drejtave të palëve të treta në mirëbesim.

-SANKSIONO. Masë disiplinore, administrative, monetare ose përgjegjësi penale sipas elementeve të ligjit. Sanksioni shqyrtohet veçmas nga masa parandaluese dhe nuk vendoset pa procedurë të rregullt. Asnjë shkelje nuk duhet të ketë “afat tolerance” kur ligji e ndalon drejtpërdrejt. KQZ-ja mund të ndërhyjë pa paralajmërim paraprak kur plotësohen kushtet ligjore të masës; kjo nuk eliminon njoftimin, arsyetimin dhe të drejtën e ankimit që kërkon procedura e drejtë. Efektiviteti kërkon edhe lidhjen ndërmjet masës së ndalimit dhe efektit financiar. Kur shkelja realizohet përmes një pagese ende të paekzekutuar, ligji duhet të përcaktojë mekanizmin e urdhrit të përkohshëm dhe komunikimin e tij me institucionin dhe Thesarin, pa zëvendësuar kontrollin gjyqësor dhe pa bllokuar pagesa të ligjshme ndaj palëve të treta. Kur veprimtaria është ndaluar, ndalimi i shpërndarjes së materialit institucional dhe heqja e avantazhit kërkojnë mjetet përkatëse të zbatimit. Vetëm gjoba e vonuar nuk e rivendos barazinë e garës. Zbatimi duhet të shmangë dy skaje: një paralajmërim të detyrueshëm që i jep shkelësit kohë ta përfundojë veprimin dhe një masë përfundimtare që vendoset pa proces. Për ndërprerjen e një shkeljeje në zhvillim nuk nevojitet një ‘afat tolerance’, por duhen ruajtur kërkesat për kompetencë ligjore, arsyetim, njoftim dhe ankim. Për sanksionin përfundimtar kërkohen provimi i elementeve të shkeljes dhe shqyrtimi kontradiktor.

9. Përgjegjësia dhe shkallëzimi i pasojave Përgjegjësia ndjek zinxhirin real: nismëtarin, urdhëruesin, titullarin, financuesin, organizatorin, anëtarin e organit kolegjial, zbatuesin dhe kandidatin ose subjektin politik që merr pjesë me dijeni ose me koordinim në përfitimin e paligjshëm. Ekzekutimi i urdhrit dhe vendimmarrja kolegjiale nuk e shuajnë vetvetiu përgjegjësinë individuale; për secilin duhet provuar roli, detyrimi konkret dhe elementi i fajit të kërkuar nga ligji. Përsëritja, organizimi sistematik, përdorimi i të dhënave, presioni hierarkik, vlera dhe shtrirja e përfitimit mund të jenë rrethana rënduese të përcaktuara shprehimisht. Shkeljet materialisht të ndryshme mund të sanksionohen veçmas; një veprim i vetëm kompleks nuk ndahet artificialisht në gjoba kumulative. Në rast të shkeljes së një ndalimi që vlen drejtpërdrejt nga ligji dhe, njëkohësisht, të një urdhri të ekzekutueshëm e të njoftuar të KQZ-së, mosbindja ndaj urdhrit trajtohet si rrethanë rënduese, jo automatikisht si dënim i dytë për të njëjtin fakt. Pavlefshmëria e rezultatit është mjet korrigjues i jashtëzakonshëm për shkelje serioze, të provuara dhe me ndikim të mundshëm mbi integritetin ose rezultatin e zgjedhjeve; ajo nuk mund të shndërrohet në sanksion automatik.

Përgjegjësia penale kufizohet te veprime me rrezikshmëri të lartë dhe me elemente të përcaktuara saktë, jo te gabimet administrative. Në vendimmarrjen kolegjiale, përgjegjësia nuk mund të mbetet abstrakte te institucioni. Provohen propozimi, vota, urdhri, përgatitja dhe zbatimi, duke marrë parasysh kompetencën konkrete të çdo pjesëmarrësi. Një punonjës që është detyruar nga eprori për të kryer një veprim, një drejtues që e ka organizuar dhe një kandidat që ka përfituar me dijeni nuk janë në situatë të njëjtë. Përgjegjësia e subjektit politik kërkon lidhjen e provuar me kërkesën, organizimin, bashkërendimin ose përfitimin e ndërgjegjshëm; përfitimi objektiv nuk mjafton vetvetiu për çdo lloj sanksioni. Për shkeljet veçanërisht të rënda, paketa parashikon përgjegjësi të përshkallëzuar sipas natyrës dhe pasojës së shkeljes. Pavlefshmëria e zgjedhjeve zbatohet si mjet korrigjues kur plotësohen kushtet ligjore të cenimit të integritetit të procesit dhe të rezultatit. Skualifikimi i kandidatit, mbarimi i mandatit dhe cenimi i mandatit proporcional janë pasoja juridike të ndryshme; ato nuk barazohen me gjobën administrative dhe nuk lindin automatikisht nga çdo shkelje. Paketa mbështetet në masat parandaluese, korrigjuese dhe sanksionuese që mund të përcaktohen me ligj, duke respektuar rregullat kushtetuese të kandidimit, fitimit e mbarimit të mandatit dhe përfaqësimit të zgjedhësve.

10. Pavlefshmëria e zgjedhjeve, ndalimi i kandidimit dhe humbja e mandatit Keqpërdorimi i pushtetit dhe i burimeve shtetërore cenon jo vetëm barazinë e garës, por edhe ligjshmërinë e përfaqësimit që buron prej saj. Për shkeljet e rënda, të organizuara ose sistematike, përgjegjësia administrative dhe penale e autorëve nuk mjafton nëse subjekti zgjedhor ruan mandatin që ka fituar për shkak të shkeljes. Paketa parashikon katër pasoja të dallueshme: pavlefshmërinë e zgjedhjeve, ndalimin e kandidimit, humbjen e mandatit individual dhe humbjen e mandatit proporcional nga subjekti zgjedhor përfitues. Pavlefshmëria duhet të përfshijë edhe shkeljet e rënda të kryera përpara ditës së votimit, kur përdorimi i burimeve shtetërore, presioni mbi administratën, patronazhimi ose kushtëzimi i zgjedhësve kanë cenuar në mënyrë përcaktuese lirinë e votës dhe integritetin e rezultatit.

Ndikimi vlerësohet në bazë të natyrës, shtrirjes, organizimit, kohëzgjatjes dhe fuqisë së shkeljes për të deformuar garën; nuk kërkohet zbulimi i votës individuale ose një aritmetikë e pamundur e votave të ndikuara. Anulimi dhe përsëritja e votimit mbeten zgjidhje për rastet kur rezultati nuk mund të korrigjohet në mënyrë më të kufizuar. Ndalimi i kandidimit dhe humbja e mandatit individual lidhen me shkeljet e rënda zgjedhore dhe me kushtet e parashikuara nga legjislacioni përkatës, përfshirë ligjin nr. 138/2015. Përgjegjësia personale nuk barazohet me përgjegjësinë e subjektit zgjedhor: pasojat mbi mandatin e subjektit kërkojnë prova të veçanta të organizimit, urdhërimit, financimit, bashkërendimit ose përfitimit të ndërgjegjshëm prej tij. Në sistemin proporcional, zëvendësimi i deputetit të skualifikuar me kandidatin vijues të së njëjtës listë nuk e heq mandatin e fituar nga subjekti. Kur shkelja e rëndë e burimeve shtetërore i atribuohet subjektit zgjedhor dhe provohet se pa të ky subjekt nuk do ta kishte fituar mandatin përkatës, korrigjimi duhet të prekë numrin e mandateve të subjektit dhe jo vetëm personin që e ushtron mandatin. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk mund të ndryshojë parimin që një mandat i fituar paligjshëm nuk duhet të ruhet si përfitim i subjektit politik. Humbja e mandatit proporcional të identifikuar si përfitim i paligjshëm është, sipas objektit të saj, një ndërhyrje më e ngushtë se pavlefshmëria e zgjedhjeve në të gjithë zonën, e cila prek edhe mandate të tjera dhe mund të kërkojë përsëritjen e votimit.

Masa synon të korrigjojë vetëm pjesën e dëmtuar të rezultatit. Kodi Zgjedhor përcakton kriteret e ndikimit përcaktues, numrin e mandateve që preken dhe metodën e rillogaritjes së shpërndarjes sipas votave dhe formulës ligjore, pa transferuar arbitrarisht vota nga një subjekt te tjetri. Mandati nuk hiqet për përfitimin objektiv apo për shkeljen e izoluar të një personi pa lidhje të provuar me subjektin. E drejta kushtetuese shqiptare njeh tashmë humbjen e mandatit për cenimin e ndalimeve që mbrojnë integritetin e funksionit përfaqësues. Çështjet Beqja dhe Kokëdhima, të lidhura me nenin 70 të Kushtetutës, tregojnë se rëndësia e ndalimit kushtetues nuk matet vetëm me vlerën monetare të përfitimit. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Kokëdhima kundër Shqipërisë (11 qershor 2024), ka shqyrtuar heqjen e mandatit në raport me garancitë e së drejtës për t’u zgjedhur. Një model tjetër i brendshëm gjendet në nenin 115 të Kushtetutës dhe në ligjin nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, ku shkelja e rëndë e ligjit mund të sjellë shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, me kontroll nga Gjykata Kushtetuese. Këto janë analogji mbi mbrojtjen e integritetit të mandatit, jo raste identike të korrigjimit të mandateve proporcionale. [12–13] Mbështetja krahasuese është e drejtpërdrejtë në nivel parimi. Në opinionin e përbashkët për Serbinë, CDLAD(2022)046, §116, Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR e lidhin abuzimin e përhapur me burimet administrative me mungesën e sanksioneve parandaluese efektive, duke përmendur shprehimisht skualifikimin dhe humbjen e funksionit. Në opinionin për Ukrainën, CDL-AD(2023)050, §24, për një rast që lidhej me mandatin e një kryetari bashkie,

Komisioni i Venecias arsyeton se heqja e mandatit në rrethana të rënda korrupsioni ose përfitimi të padrejtë nga burimet administrative mund të jetë mjet për mbrojtjen e demokracisë. Opinioni ukrainas trajton një mandat individual, por parimi i mosruajtjes së përfitimit të paligjshëm shërben si mbështetje për zgjidhjen tonë mbi mandatin e subjektit. [6, 14] Mekanizmi vendoset në Kodin Zgjedhor. KQZ-ja heton dhe konstaton faktet, identifikon subjektin përfitues dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për verifikimin e zgjedhjes dhe pasojat mbi mandatin.

E drejta për të vënë Gjykatën në lëvizje u njihet edhe subjekteve të tjera të legjitimuara sipas ligjit. Shqyrtimi gjyqësor përfundimtar mbështetet në nenin 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës; Kodi përcakton shkaqet, procedurën, afatet, standardin e provës, pjesëmarrjen e palëve dhe mënyrën e zbatimit të vendimit. Shqyrtimi përqendrohet te mandati konkret dhe përfitimi i tij, jo te një kontroll i pakufizuar i të gjithë procesit zgjedhor. Në këtë pikë merret parasysh edhe dallimi i bërë nga Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 36, datë 4.11.2021, ndërmjet verifikimit të zgjedhjes së funksionarit dhe kontrollit të procesit zgjedhor në tërësi. [15–16] Kjo pasojë është korrigjuese, jo një gjobë e dytë për të njëjtin fakt. Gjykata vlerëson shkeljen e rëndë, përgjegjësinë e subjektit, lidhjen përcaktuese ndërmjet shkeljes dhe mandatit, si edhe mundësinë e korrigjimit të kufizuar të rezultatit. Zgjidhja ruan mandatet e fituara ligjërisht dhe shmang përsëritjen e zgjedhjeve kur cenimi mund të riparohet në mënyrë të saktë e proporcionale. Parimi udhëheqës është që as kandidati dhe as subjekti zgjedhor të mos ruajnë një mandat të fituar në mënyrë të paligjshme përmes përdorimit të burimeve të shtetit.

11. Media dhe komunikimi publik: masë e synuar, jo kontroll i debateve Kodi Zgjedhor tashmë parashikon llogaritjen në kohën mediatike të subjektit zgjedhor të transmetimeve që promovojnë arritje institucionale. Kjo llogaritje nuk e shndërron një veprimtari të ndaluar në të ligjshme dhe nuk e heq avantazhin që prodhon transmetimi i plotë e i drejtpërdrejtë i saj. Për këtë arsye propozojmë ndalimin, gjatë 75 ditëve përpara votimit, të transmetimit të plotë e të drejtpërdrejtë të aktiviteteve promovuese të qeverisë dhe të organeve publike, të përcaktuara shprehimisht në ligj. Masa kufizohet sipas burimit institucional dhe natyrës promovuese të veprimtarisë; ajo nuk përfshin transmetimin e mitingjeve të ligjshme partiake dhe as raportimin editorial të pavarur. Ndalimi mënjanon avantazhin e menjëhershëm të sinjalit institucional, pa i ngarkuar medias detyrën të vlerësojë gjatë transmetimit çdo deklaratë të funksionarit. [6] Neni 92, pika 5, nuk duhet dobësuar. Përkundrazi, ndalimi i transmetimit e pasqyrimit duhet të zbatohet edhe për veprimtaritë që vetë Kodi i ndalon shprehimisht, pa pritur një vendim individual të KQZ-së. Vendimi i ekzekutueshëm i KQZ-së krijon detyrim të posaçëm dhe mosrespektimi i tij është rrethanë rënduese. Formulimi duhet të ruajë sigurinë juridike të medias dhe të dallojë përgjegjësinë për transmetimin e një aktiviteti të ndaluar nga deklarata e paparashikueshme e një pjesëmarrësi në miting të ligjshëm. Ndalimi nuk shmanget duke e kaluar sinjalin në faqet e institucioneve, profilet e funksionarëve të administruara me burime shtetërore, kontraktorët ose shpërndarjen e koordinuar. Ndërkaq, përdoruesi i pavarur dhe platforma teknologjike nuk barazohen me organizatorin institucional. Për të drejtat e medias duhen marrë në konsideratë standardet e nenit 10 të KEDNJ-së, Rregullorja (BE) 2024/900 dhe Akti Europian për Lirinë e Medias, pa i paraqitur këto instrumente si bazë automatike për ndalime të përgjithshme të raportimit. ODIHR 2025 rekomandoi që pamjet e përgatitura nga qeveria ose partitë të identifikohen si reklamim politik dhe të mos përdoren si përmbajtje informative/editoriale. [3, 7–8] Rregullimi mediatik dallon tri situata me pasoja të përcaktuara:

-transmetimi ose pasqyrimi i veprimtarive të ndaluara drejtpërdrejt nga Kodi ose me vendim të ekzekutueshëm të KQZ-së;

-transmetimi i plotë e i drejtpërdrejtë i aktiviteteve promovuese institucionale gjatë periudhës së përcaktuar në ligj; dhe mbulimi editorial i veprimtarisë së ligjshme politike. Në dy rastet e para zbatohet ndalimi i posaçëm, me elemente objektive e të verifikueshme; në të tretin ruhet liria editoriale. Kështu mbrohet barazia e garës pa vendosur censurë paraprake mbi debatet politike ose përgjegjësi për deklarata të paparashikueshme në veprimtari të ligjshme. Mbyllja e shmangies digjitale duhet të ndjekë kontrollin dhe porosinë: faqet institucionale, sinjalin zyrtar, materialet e prodhuara me fonde ose personel publik, llogaritë personale të administruara institucionalisht dhe kontraktorët e koordinuar. Nuk krijohet përgjegjësi automatike për përdoruesin e pavarur, gazetarin ose platformën që thjesht ofron shërbimin teknik. Kufizimet e publikimit dhe ndërprerjes së transmetimit duhet të jenë të parashikueshme e të ankueshme, pa krijuar detyrim të përgjithshëm monitorimi paraprak të fjalës politike. Rekomandimet e ODIHR-it për materialet e gatshme mbështesin ndarjen e përmbajtjes qeveritare nga lajmi redaksional, por nuk autorizojnë një ndalim të përgjithshëm të gazetarisë. [3, 6–8]

12. Regjimi përforcues kalimtar dhe proporcionaliteti Për korrigjimin e keqpërdorimit strukturor të pushtetit dhe të burimeve shtetërore, paketa vendos një regjim kalimtar përforcues, me kohëzgjatje maksimale dhjetë vjet. Ndalimi i përdorimit partiak të shtetit është i përhershëm; afati kalimtar zbatohet vetëm për instrumentet e posaçme të kontrollit dhe kufizimet e përcaktuara në ligj. Kufizimet e përkohshme të veprimtarisë politike të kategorive të caktuara të punonjësve publikë, të propozuara në Dokumentin e Qëndrimit I, përbëjnë kufizime të ushtrimit të së drejtës sipas nenit 17 të Kushtetutës, jo pezullim të saj. Qëllimi i këtyre kufizimeve është mbrojtja e vetë bartësit të së drejtës, punonjësit të administratës, nga presioni politik dhe nga përdorimi abuziv i veprimtarisë së tij politike si mjet për ta ekspozuar ndaj trysnisë hierarkike. Ato janë të përcaktuara në ligj, të kufizuara në subjekt, përmbajtje dhe kohë, dhe shërbejnë për të mbrojtur neutralitetin e administratës, lirinë e zgjedhësit dhe barazinë e konkurrimit. Nuk parashikohet derogim nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kohëzgjatja dhjetëvjeçare i përgjigjet nevojës për të çmontuar një praktikë të konsoliduar në disa cikle zgjedhore dhe për të matur ndryshimin e sjelljes institucionale përtej një mandati të vetëm.

Ligji dallon ndalimet e përhershme nga instrumentet përforcuese kalimtare. Ndërhyrja është e shkallëzuar: neutralitet i përhershëm në kohë të zakonshme, mbikëqyrje e përforcuar përpara zgjedhjeve, ndalime të posaçme gjatë periudhës së mbrojtur dhe masa të kufizuara kundër shpërblimit ose hakmarrjes politike pas votimit. Kjo mënyrë e kufizimit sipas rrezikut, objektit dhe kohës siguron proporcionalitetin e ndërhyrjes. Në përfundim të vitit të pestë, Kuvendi kryen detyrimisht vlerësimin e regjimit kalimtar, mbi bazën e një raporti publik të përgatitur me ekspertizë të pavarur, të dhënave të KQZ-së, vendimeve gjyqësore dhe konsultimit me institucionet, subjektet zgjedhore dhe shoqërinë civile. Vlerësimi përfshin shkeljet e konstatuara, kohën e ndërprerjes së tyre, rezultatet e masave korrigjuese, rezultatet e ankimeve dhe ndikimin mbi të drejtat e punonjësve e të zgjedhësve. Kuvendi vendos për ndryshimin ose përfundimin e parakohshëm të instrumenteve kalimtare me ligj. Për regjimin e posaçëm të administratës të parashikuar në Dokumentin e Qëndrimit I, periudha e parë është pesë vjet; vijimi për një periudhë tjetër prej jo më shumë se pesë vjetësh bëhet vetëm me vendim të shprehur të Kuvendit, mbi bazën e vlerësimit dhe të kushteve të përcaktuara paraprakisht në ligj. Pa këtë vendim, regjimi i posaçëm pesëvjeçar përfundon.

Regjimi përforcues nuk është pezullim i lirive demokratike. Ai përfshin verifikime më intensive, procedura të përshpejtuara për ndalimin e abuzimit dhe kufizime të posaçme, të përcaktuara shprehimisht për funksione që krijojnë rrezik të drejtpërdrejtë të përdorimit elektoral të varësisë shtetërore. Masa më e fortë zbatohet vetëm atje ku kontrolli i zakonshëm, i mbështetur kryesisht në denoncimin dhe sanksionimin pas faktit, nuk mund ta parandalojë avantazhin elektoral. Për secilën masë ligji përcakton objektin, subjektin, periudhën, organin e kontrollit dhe mjetin e ankimit. Përfundimi i instrumenteve kalimtare nuk prek ndalimet e përhershme të patronazhimit, presionit politik dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore. Testi i kufizimeve të të drejtave Kufizimet e propozuara mbështeten në nenin 17 të Kushtetutës dhe në standardet përkatëse të KEDNJsë. Ato vendosen me ligj, për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, neutralitetit të shërbimit publik dhe të drejtave të zgjedhësve. Janë të nevojshme sepse presioni hierarkik, patronazhimi dhe përdorimi i veprimtarive shtetërore prodhojnë avantazh elektoral në kohë reale, të cilin një gjobë e mëvonshme nuk e neutralizon. Paketa kufizon sjelljen që përdor funksionin publik dhe jo bindjen politike të individit: ruan votën, mendimin dhe shprehjen personale të ligjshme, ndërsa ndalon mobilizimin e imponuar dhe përdorimin partiak të autoritetit shtetëror. Për mediat, ndalimet lidhen vetëm me veprimtari dhe formate institucionale të përcaktuara shprehimisht; mbulimi i pavarur editorial dhe transmetimi i veprimtarive të ligjshme partiake mbrohen. Arsyetimi individual i masave, ankimi i shpejtë dhe kontrolli gjyqësor garantojnë zbatimin proporcional.

13. Teknika legjislative dhe rendi i zbatimit Kodi Zgjedhor duhet të përmbajë ndalimin horizontal, përkufizimet, periudhat, subjektet, kompetencat, masat urgjente, sanksionet dhe ankimin. Kodi Penal ndërhyn për veprime të qëllimshme dhe me rrezikshmëri të lartë, të përkufizuara me elemente të qarta. Paketa penale harmonizohet shprehimisht me ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Kjo lidhje forcon parandalimin: edhe kur dënimi me burgim nuk është i gjatë, pasojat ligjore mbi të drejtën për të ushtruar funksione publike mund të jenë afatgjata, sipas kushteve dhe afateve që përcakton ligji i dekriminalizimit. Harmonizimi bëhet në mënyrë të shprehur, pa zgjeruar me analogji rastet e ndalimit. Ligjet e administratës, mbrojtjes së të dhënave, financave, prokurimeve dhe medias përshtaten në masën e nevojshme. Aktet e KQZ-së detajojnë zbatimin, por nuk krijojnë shkelje ose sanksione të reja. Zbatimi fillon me kapacitetet ekzistuese: kërkesa zyrtare për dokumente, kalendarë, regjistra, gjurmë pagesash, sinjale mediatike dhe vendime të arsyetuara.

Një sistem i ri elektronik mund ta përmirësojë kontrollin, por nuk është kusht për hyrjen në fuqi. Për çdo mekanizëm duhet të dihet paraprakisht kush heton, kush ndalon, kush vendos sanksionin dhe cila gjykatë e kontrollon vendimin. Paketa mbështetet në një arkitekturë të vetme normative: parimi i ndarjes së shtetit nga partia; ndalimet e përhershme dhe afatet e posaçme zgjedhore; dallimi i qeverisjes normale nga abuzimi; mbikëqyrja aktive; ndërprerja dhe rivendosja e menjëhershme; përgjegjësia individuale dhe sanksionet proporcionale. Çdo element ka funksion të përcaktuar dhe mbështet zbatimin e elementeve të tjera. Zgjidhjet e propozuara janë qëndrimi ynë për reformën dhe mbrohen me argumente kushtetuese, zgjedhore dhe të standardeve ndërkombëtare. Qëllimi i reformës nuk është të nxjerrë qeverinë nga qeverisja gjatë zgjedhjeve. Është të nxjerrë shtetin nga fushata. Paketa duhet të ketë një regjistër të vetëm të dispozitave dhe sanksioneve, në mënyrë që i njëjti veprim të mos përkufizohet me emra të ndryshëm në disa nene. Për çdo ndalim parashikohen veçmas subjekti, veprimi, periudha, kushtet e përjashtimit, organi i kontrollit, masa parandaluese, sanksioni dhe ankimi. Përgjegjësia penale nuk duhet të shtrihet mbi gabimet administrative ose sjelljet me rrezikshmëri të ulët. Mjetet e rivendosjes së gjendjes dhe sanksionet administrative duhet të mbeten të zbatueshme edhe kur kushtet e ndjekjes penale nuk plotësohen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat