Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë, mes të cilëve ish-drejtues të institucioneve publike, punonjës të administratës dhe biznesmenë.
Dosja mban numrin 136/2025 dhe përfshin 26 persona fizikë dhe dy subjekte juridike. Në qendër të hetimit janë 10 procedura prokurimi publik, që lidhen me disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, përfshirë Tunelin e Llogarasë, Unazën e Jashtme të Tiranës, segmentet rrugore në zonën e Sheshit Shqiponja, rrugën Porto Romano-Durrës dhe rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol.
Balluku përballet me një sërë akuzash, mes tyre shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, mosdeklarimi ose fshehja e pasurisë në dy raste, si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.
10 tenderat që SPAK ka marrë nën hetim
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, hetimi ka përfshirë këto procedura prokurimi:
-
Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë.
-
Punimet në segmentin Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe Qendra e Monitorimit të Trafikut.
-
Ndërtimi i segmentit Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2.
-
Ndërtimi i urave mbi lumin e Tiranës, në segmentin Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 4.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 5.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7.
-
Ndërtimi i rrugës Porto Romano-Durrës, Loti 3.
-
Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.
Sipas SPAK, nga provat e administruara gjatë hetimit kanë rezultuar fakte penale në ngarkim të Ballukut, gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe gjatë periudhës kur drejtonte Albcontrol.
Prokuroria pretendon se në disa prej këtyre procedurave janë ndërmarrë veprime për të favorizuar kompani të caktuara, përmes ndërhyrjeve në dokumentacionin e tenderave, kritereve të kualifikimit dhe procedurave të vlerësimit të ofertave.
Tuneli i Llogarasë dhe dyshimet për favorizimin e kompanive
Një nga çështjet kryesore të dosjes lidhet me tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. SPAK pretendon se procedura është orientuar për të favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.
Sipas prokurorisë, Balluku, ndonëse kishte deleguar formalisht kompetencat e titullarit të autoritetit kontraktor te Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, kishte ndjekur dhe orientuar procedurën në fazat e saj të ndryshme.
Në këtë proces përmendet edhe Evis Berberi, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili sipas SPAK ka pasur komunikime të vazhdueshme me Ballukun dhe përfaqësues të kompanive gjatë përgatitjes së dokumentacionit të tenderit.
Prokuroria pretendon se bashkimi i operatorëve i shpallur fitues nuk përmbushte kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.
Një tjetër problematikë lidhet me preventivin dhe përllogaritjen e fondit limit. Sipas ekspertimit teknik të administruar nga SPAK, përllogaritja e kostove ishte bërë me çmime të fryra dhe në kundërshtim me manualet teknike të çmimeve të ndërtimit.
Për këtë pjesë, prokuroria llogarit një dëm ekonomik prej 2.006.535.459 lekësh.
Por pretendimet nuk ndalen me përfundimin e tenderit. Sipas SPAK, edhe gjatë zbatimit të kontratës është miratuar një preventiv i rishikuar me volume dhe çmime të fryra, pa verifikimet e nevojshme teknike. Dëmi i llogaritur për këtë pjesë arrin në 5.477.232.724 lekë.
Në total, për këto dy problematika që lidhen me Tunelin e Llogarasë, SPAK pretendon një dëm ekonomik prej rreth 7.48 miliardë lekësh.
Unaza e Tiranës, Sheshi Shqiponja dhe Porto Romano
Në dosjen e SPAK përfshihen edhe disa tendera të tjerë infrastrukturore, ku prokuroria pretendon se janë favorizuar kompani të caktuara.
Për punimet në segmentin Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe Qendra e Monitorimit të Trafikut, SPAK pretendon se është favorizuar kompania “Salillari”. Sipas hetimeve, janë ndërhyrë elementë të dokumentacionit të tenderit, ndërsa janë shkurtuar afatet e paraqitjes së ofertave dhe janë vendosur kritere që kanë kufizuar konkurrencën.
Në tenderin për segmentin Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2, prokuroria pretendon se është favorizuar bashkimi i kompanive “4A-M”, “ED Konstruksion” dhe “IDK Konstruksion”.
Ndërsa në procedurën për ndërtimin e urave mbi lumin e Tiranës, SPAK pretendon se është favorizuar kompania “Albstar”.
Hetimi përfshin gjithashtu katër lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës, ku përmenden kompanitë “Euroteorema Peqin”, “PE-VLA-KU”, “Nova Construction 2012”, “G.P.G Company”, “Senka”, “Gjoka Konstruksion”, “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.
Në rastin e Lotit 7, SPAK pretendon se administratori i kompanisë “Alko-Impex General Construction”, Arbër Abazi, ka paraqitur dokumentacion të rremë për të plotësuar kriteret e tenderit.
Edhe ndërtimi i rrugës Porto Romano-Durrës, Loti 3, është pjesë e hetimit. Për këtë procedurë, prokuroria pretendon se është favorizuar kompania “Geci”, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Dy vila në Palasë dhe Dhërmi, vlera e sekuestruar 1.83 milionë euro
Një tjetër pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me dy pasuri të paluajtshme në bregdet, për të cilat SPAK pretendon se janë përfituar në këmbim të favorizimit të kompanive në procedura prokurimi.
Pasuria e parë është një vilë dykatëshe në kompleksin turistik “Green Coast”, në Palasë, me vlerë të përllogaritur prej 1.110.000 eurosh.
Sipas prokurorisë, investimi fillestar prej 250 mijë eurosh është kryer nga Igli Tare, ndërsa punimet për përfundimin e vilës dhe ndërtimin e pishinës janë financuar nga Arbër Abazi.
SPAK pretendon se ky investim lidhet me favorizimin e kompanisë “Alko-Impex General Construction” në tenderin për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7.
Për të fshehur pronësinë reale të pasurisë, sipas prokurorisë, janë përdorur dokumente fiktive dhe regjistrimi i saj në emër të Igli Tares.
Pasuria e dytë është një vilë në resortin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut, me vlerë aktuale tregu prej 720 mijë eurosh.
Për këtë pronë, SPAK pretendon se Balluku ka përfituar një avantazh të parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol.
Sipas hetimeve, përfitimi lidhet me një kontratë porosie të krijuar në emër të Igli Tares dhe me përfshirjen e pronarit të kompanisë “Eurocol”, Pandeli Carapuli.
Prokuroria pretendon se për fshehjen e pasurisë janë përdorur edhe dokumente fiktive, përfshirë një kontratë qiraje mes Joana Bushit dhe Igli Tares.
Vlera e përgjithshme e dy pasurive të sekuestruara arrin në 1.830.000 euro.
Albcontrol, një tjetër procedurë në fokusin e hetimeve
Tenderi për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol është procedura e dhjetë e përfshirë në dosje.
Në kohën e zhvillimit të kësaj procedure, Balluku mbante detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol.
SPAK pretendon se janë ndërmarrë veprime për të favorizuar kompaninë “Eurocol”, përmes përcaktimit të kritereve dhe mënyrës së zhvillimit të tenderit.
Sipas prokurorisë, kompania ka përfituar edhe një parapagim prej 50 për qind të vlerës së kontratës në momentin e lidhjes së saj.
Për këtë procedurë, Balluku akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Kush janë 27 të pandehurit e tjerë?
Përveç Ballukut, në dosje janë përfshirë ish-drejtues dhe punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe persona që lidhen me kompanitë private.
Mes tyre janë Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça dhe Miranda Shkurti.
Në listën e të pandehurve përfshihen gjithashtu Jonida Çeçe, Klarita Konomi, Arbër Troka, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Adrian Kroi, Gëzim Noni, Nikollaq Mihali, Eduart Agalliu, Arlinda Gordani, Denis Xhoxhi, Dhurata Lazaj dhe Jetmira Dervishi.
Për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale janë marrë të pandehur edhe Joana Bushi, Igli Tare dhe Pandeli Carapuli.
Ndërsa Arbër Abazi akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe falsifikim të vulave, stampave ose formularëve.
Në proces janë përfshirë edhe dy subjekte juridike: “Alko-Impex General Construction” dhe “Eurocol”.
Hetimet nuk janë mbyllur përfundimisht
Pavarësisht dërgimit të dosjes për gjykim, SPAK bën të ditur se hetimet do të vijojnë në kuadër të një procedimi të ndarë, me numër 136/1 të vitit 2026, për evidentimin e fakteve të tjera penale.
Dërgimi i kërkesës për gjykim shënon kalimin e çështjes në fazën gjyqësore, ku provat dhe pretendimet e Prokurorisë së Posaçme do të shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme.



