Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca vijojnë të jenë pjesë e Partisë Socialiste, pavarësisht kërkesës së kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e tyre. Konfirmimi ka ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të zhvilluar në Gjirin e Lalëzit.
Gjatë mbledhjes, e cila u zhvillua pjesërisht me dyer të mbyllura dhe pjesërisht e hapur për mediat, mësohet se kërkesa për përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës nuk ka gjetur mbështetjen e socialistëve. Kundërshtimet kanë ardhur kryesisht nga figura të vjetra të partisë, të cilat kanë kërkuar që ndaj tyre të merren masa të tjera, por jo deri në përjashtimin nga PS-ja.
Një nga zërat e parë kundër kërkesës së Ramës ka qenë deputeti Fatmir Xhafaj, i cili gjatë diskutimeve në Asamble ka propozuar masa ndaj Spiropalit dhe Ndrecës, duke kundërshtuar përjashtimin e tyre nga partia.
Kështu, pavarësisht qëndrimit të kryeministrit, dy emrat vijojnë të mbeten anëtarë të Partisë Socialiste.
Ndërkohë, në mbledhjen e Asamblesë janë zyrtarizuar edhe ndryshimet në drejtimin politik të Tiranës. Blendi Klosi konfirmoi largimin e Erion Veliajt dhe Taulant Ballës nga bashkëdrejtimi i qarkut, duke ua kaluar këtë përgjegjësi Albana Koçiut dhe Ervin Demos.
Megjithatë, ndryshe nga informacionet e raportuara më herët, drejtimi politik i kryeqytetit do t’i mbetet Ogerta Manastirliut, e cila nuk është larguar nga kjo detyrë.
“Mbledhja e sotme ishte një nga mbledhjet e radhës të Asamblesë së PS-së. Jemi fokusuar në zgjedhje, nga sot jemi në fushatë. Nga pikëpamja organizative për Tiranën, u propozuan dy bashkëkryetarë, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, kurse drejtimi politik i mbetet Ogerta Manastirliut”, deklaroi Klosi.
Mbledhja e Asamblesë shënoi kështu ndryshime në organizimin e strukturave drejtuese të PS-së, por edhe një kundërshtim të hapur ndaj kërkesës së Ramës për përjashtimin e dy figurave të partisë.



