Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe drejtuesi i saj do të përfitojnë mbrojtje të posaçme në rast se kërcënohen për shkak të detyrës. Qeveria ka miratuar një vendim të ri që parashikon masa sigurie jo vetëm për vetë punonjësit, por edhe për familjarët dhe pronën e tyre.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri i Drejtësisë, përcakton kushtet dhe procedurat për garantimin e mbrojtjes fizike të punonjësve që përballen me kërcënime nga persona të tretë për shkak të ushtrimit të funksionit.
Sipas vendimit, mbrojtja do të ofrohet në rastet kur ekzistojnë rrethana serioze që vënë në rrezik jetën, familjen ose pronën e punonjësit dhe kur kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
Masat e parashikuara përfshijnë ruajtjen ose shoqërimin fizik të punonjësit të kërcënuar, mbrojtjen e familjarëve të tij nëse edhe ata janë në rrezik, si dhe marrjen e masave për sigurinë e pronës.
Megjithatë, këto masa nuk do të aktivizohen automatikisht për çdo rast kërcënimi. Përfitimi i mbrojtjes do të vendoset pas një vlerësimi të posaçëm të rrethanave dhe nivelit të rrezikut.
Për këtë qëllim, pranë Agjencisë do të ngrihet Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili do të shqyrtojë kërkesat dhe do të vendosë nëse punonjësi plotëson kushtet për të përfituar mbrojtje.
Kërkesa mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e Agjencisë që marrin dijeni për rrezikun, por edhe nga institucione të tjera publike që konstatojnë ekzistencën e kërcënimeve.
Komisioni do të ketë në dispozicion 10 ditë nga paraqitja e kërkesës për të marrë vendimin. Në rast se kërkesa pranohet, do të përcaktohen masat konkrete të sigurisë, kohëzgjatja e tyre, struktura përgjegjëse për zbatimin dhe mënyra e mbulimit të shpenzimeve.
Vendimi parashikon gjithashtu mbrojtje për punonjësit që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tyre. Në këto raste, masat e sigurisë mund të shtrihen edhe te familjarët, në varësi të shkallës së kërcënimit dhe nevojës për mbrojtje.
Me këtë vendim, qeveria vendos një mekanizëm të posaçëm sigurie për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes, të cilët për shkak të funksioneve që ushtrojnë mund të përballen me kërcënime që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e tyre.



