Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Dhuna gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë ka prekur edhe institucionet kulturore. Shfaqja për fëmijë “Mbreti Luan”, e planifikuar të jepej në orën 18:00 në Teatrin e Kukullave, është anuluar pasi protestuesit kanë goditur dyert e godinës dhe kanë hedhur molotov në ambientet e saj.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili dënoi aktet e dhunës dhe shprehu keqardhjen për anulimin e shfaqjes, për të cilën, sipas tij, të gjitha biletat ishin shitur.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja tha se sulmi ndaj teatrit ka cenuar edhe aktivitetet e parashikuara për fëmijët në ditën e festës kombëtare.
“Sot, më 28 Nëntor në orën 18:00, Teatri i Kukullave duhej të hapte perden për ‘Mbretin Luan’. Të gjitha biletat ishin shitur, por pas dhunës së sotme, shfaqja e mbrëmjes u anulua sepse protestues të papërgjegjshëm goditën dyert e teatrit dhe hodhën molotov në ambientet e godinës”, shkroi ministri.
Gonxhja u bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e shkatërrimit, duke theksuar se Teatri i Kukullave është një hapësirë kulturore që u përket fëmijëve dhe familjeve.
Ai theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar, por dhuna ndaj institucioneve publike duhet të dënohet.
Anulimi i shfaqjes “Mbreti Luan” është një tjetër pasojë e përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me hedhje molotovësh dhe akte dhune në disa zona të kryeqytetit.



