back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëElsa Lila jep leksion për gazetarinë

Elsa Lila jep leksion për gazetarinë

Nga Frrok Çupi

Njeriu është ai që është. Siç edhe lajmi është ai që ndodh, jo ai çfarë dikush thotë se ka ndodhur.

Ky është leksioni që i dha gazetarisë Elsa Lila, tashmë edhe shkrimtare.

Vajza e rritur pa të ëmën  që në moshën 15 vjeçare, i dha frymë në botë vendit dhe kombit të saj, si një këngëtare brilante edhe jashtë kufijve. E ndoqi fati i njeriut të famshëm, padyshim; si edhe më të mëdhenjtë e botës së artit që nuk patën kurrë ‘fatin e butë të askushit’. 

Para një jave Elsa bëri publik librin e saj me titull  “Mirë se erdhe në Rebibbia”. Me ‘Rabibbian’, burgun famëkeq të Romës, ajo zbuloi fatin e saj të tmerrshëm, të krijuar jo nga Zoti, por nga rob nën zot. E shpifën dhe i sajuan thagma; derisa doli pa asnjë faj.

Këtej nga brigjet e atdheut të vet e gjuajtën me gurë, më shpifje, me të paqena, me rrena, me lajme…. Me tituj në gazeta e televizione “s’e ç’e vranë/ e se ç’e  shanë’’, aq sa një ditë u duhej të pranonin ‘Mjaft më’.

Sa zbriti në Tiranë për librin e saj, Elsa Lila u ndodh prapë para mediave si para ‘kohës së ngrirë’.

Në një emision televiziv, njësoj si para asaj situate që kishte qenë në ‘Rabibbia’. Kur doli që andej, doli nga e Drejta Njerëzore si ‘Elsa që nuk ishte ajo çfarë kishin thënë’, por si ‘Elsa që jam’. Kjo është ideja e parë e të drejtës së individit në Drejtësinë tokësore të Botës: ‘Jam ai/ajo që jam, jo ajo çfarë kanë thënë se jam’.

Në Tiranë, sapo vërejti se i ishte ngritur një kurth në formë burgu, (në ekran vërtiteshin të njëjtët tituj që ishin vërtitur atëherë në një kohë të rreme) u ngrit e iku, madje me një sjellje të admirushme, duke i thënë gazetarit: ‘Epo, mirë atëherë, emisioni mbaroi!’.

Ky nuk ishte i vetmi leksion që Elsa Lila i dha gazetarisë. Ajo preku në nervin që i vuan gazetarisë dhe marrëdhënieve të saj me njeriun dhe me ‘zotin e vet’.

Gazetaria nuk mund ta ngarkojë individin me thënie të rreme, aq më tepër kur këto i ka hedhur poshtë Drejtësia publike. Media në atë rast të Elsës kishte një shans për t’i thënë njeriut të frikësuar edhe nga media, se ‘ja ku jemi, atëherë kemi gabuar!’. Media që ‘nuk gabon’ si në vendin tonë, është një pushtet i dhunshëm dhe i pa ligjshëm.

Një gazetar që dhunshëm i drejtohet individit si hetues për punët dhe jetën e tij, ai ka gabuar në të drejtën publike ku edhe ka  fushën. Nëse guxon në Europë që të kapësh dobësinë e njeriut dhe ta përdorësh, atëherë përgjigjesh para ligjit. Këtu njeriu i dobët është viktima e parë, i forti- kushedi kur.

‘Nëse të duhet intervista e një fëmije, ti nuk ke të drejtë ta bësh këtë; ke të drejtë vetëm t’i japësh kartëvizitën dhe t’i thuash “Nëse dëshiron prindi juaj të më kontaktojë”. Ky është njëri nga paragrafët e etikës së gazetarisë në Britaninë e Madhe e më tej.

Nëse shpif ke kryer vepër penale, pavarësisht se je gazetar, a deputet, apo vrasës me pagesë. Gjyqet tona i japin të drejtë të fortit, edhe kur shpif.

Aq më tepër nuk mund të rrëmosh nëpër ‘gjirize’ për të gjetur ‘faktin’ e pavërtetë që i bën keq tjetrit. Se atëherë, dhe në sjelljen tonë zakonore, pse pas një të keqeje që ka ndodhur, u dashka thënë shprehja: “Të harruara, të shkuara!’.

Se, atëherë, pse në gjithë sjelljen dhe frymën e njeriut, varrezat shpallen të paprekshme, as hapen, as dhunohen, veç përkëdhelen. Atje brenda është çfarë ka vdekur. Ata që e bëjnë, sado rrallë kur e bëjnë, shpallen djaj dhe dëbohen me kode.

Se atëherë, pse vallë edhe Google, kjo super media e rruzullit, nuk të risjell kurrë një foto nga arkivi yt i fotove që është shkrepur në rast të zi, apo në fatkeqësi. Edhe ajo media është.

Se atëherë, dreqi e mori, pse shtëpia e robit ka perde, pse ka mure, pse ka avlli… Më në fund pse njeriu vesh rrobe!?… Është privatësia, ajo që rrethon dhe bën njeriun.

Të paktën kaq të mendojë gazetaria para se t’i hyjë njeriut, dhunshëm, në qenien e tij. Leksioni i Elsa Lilës tani mund të nisë edhe si një manual sjelljeje ‘siç duhet’.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat