KreuAktualitetPolitika“Votoni sipas bindjes apo sipas partisë?”/ A do të ndryshojnë qëndrim Braçe...

“Votoni sipas bindjes apo sipas partisë?”/ A do të ndryshojnë qëndrim Braçe dhe Sinaj në Kuvend?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

A do të ndryshojnë qëndrim Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj pas mesazhit të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla?

Kjo pritet të shihet të enjten, kur Kuvendi do të votojë reformën e re administrativo-territoriale që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Për miratimin e saj nevojiten 84 vota.

Braçe dhe Sinaj janë dy deputetët socialistë që kanë votuar kundër draftit brenda grupit parlamentar. Të dy kanë shprehur rezerva për shkrirjen e 15 bashkive, duke e bërë të qartë se nuk janë dakord me hartën e propozuar nga mazhoranca.

Por përpara votimit në Kuvend, Balla ka dhënë një mesazh që e vendos çështjen në një tjetër plan. Ai tha se në mbledhjet e grupit deputetët mund të shprehin mendime të ndryshme dhe madje të votojnë kundër, por në fund prevalon “vendimi politik”.

“Gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik”, deklaroi Balla.

Por deklarata e Ballës ngre edhe një çështje tjetër, nëse deputetët kanë të drejtë të shprehin një qëndrim ndryshe dhe ta argumentojnë atë, pse duhet të ketë një “vendim politik” që prevalon mbi votën e tyre?

Votimi i një deputeti në Kuvend është një akt individual parlamentar. Nga ana tjetër, deputetët janë pjesë e një grupi parlamentar dhe partitë politike funksionojnë edhe mbi bazën e vendimeve të përbashkëta.

Pikërisht në këtë kufi mes lirisë së deputetit për të votuar sipas bindjes së tij dhe disiplinës politike të grupit ndodhet përplasja që është shfaqur tashmë në PS.

Në rastin e reformës territoriale, çështja bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të shumicës së cilësuar prej 84 votash. Çdo votë merr peshë dhe qëndrimi i Braçes dhe Sinajt do të jetë një nga elementët që do të ndiqet në votimin e së enjtes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat