Përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës në Shqipëri shoqërohen çdo ditë me akuza për korrupsion, konflikt interesi, shpërdorim detyre dhe përdorim të administratës për interesa politike. Por jo çdo denoncim i bërë publik ka përfunduar në një kallëzim penal apo në një hetim nga institucionet e drejtësisë.
Një prej rasteve është kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë amerikane Boston Consulting Group. Në qershor 2024, Partia Demokratike e akuzoi kryeministrin Edi Rama se marrëveshja nuk kishte të bënte me luftën kundër korrupsionit, por me forcimin e kontrollit politik.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, e cilësoi kontratën si një përpjekje për të “konsoliduar pushtetin e tij” dhe ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte lidhur marrëveshja.
Pavarësisht akuzave publike, nuk rezulton një kallëzim penal i PD-së ndaj Ramës apo zyrtarëve të tjerë pikërisht për këtë kontratë.
Një tjetër denoncim ka ardhur nga Shkodra. Në shkurt 2024, ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, akuzoi kryebashkiakun Benet Beci për “spastrime politike”, duke deklaruar se rreth 180 kryefamiljarë ishin larguar nga puna.
Në këtë rast, akuza politike lidhej me mënyrën e administrimit të Bashkisë së Shkodrës, por nuk rezulton se SPAK-ut të ketë nisur hetim mbi bazën e këtij denoncimi.
Në qershor të vitit 2024, PD ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si zhvilloheshin tenderët e punëve publike. Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, kompanitë nuk përballeshin me konkurrencë reale dhe procedurat favorizonin subjekte të caktuara.
Një tjetër akuzë e fortë lidhej me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Në mars 2024, deputeti i PD-së Eno Bozdo akuzoi qeverinë se po i krijonte Korporatës mundësinë për të dhënë me qira ose për të shitur prona publike dhe se këto pasuri mund të përdoreshin në favor të klientelës së kryeministrit.
Ndërsa në rastin e Butrintit, opozita shkoi më tej me akuzat. Ina Zhupa deklaroi se Këshilli i Ministrave kishte tentuar të mashtronte Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK-un duke mos paraqitur raportin e UNESCO-s. Ajo kërkoi që SPAK të niste hetim kryesisht.
Por çështja e Butrintit u zhvillua kryesisht në planin kushtetues dhe politik dhe nuk nisi një hetim penal i SPAK-ut.
Në një tjetër rast, PD akuzoi ish-drejtorin dhe më pas ministrin Blendi Gonxhja për konflikt interesi, duke pretenduar se ai vazhdonte të kishte lidhje me një kompani private edhe pasi kishte marrë detyrën publike. Denoncimi u bë publik në janar 2024.
Këto raste tregojnë një tjetër anë të përplasjes politike. Deklarata të forta që bëhen në Kuvend, në konferenca shtypi apo përmes rrjeteve sociale, por që nuk përfundojnë domosdoshmërisht në një dosje penale të bërë publike dhe mbeten në suazat e konsumit mediatik dhe publik.



